INPO: Shpend Ahmeti vonon buxhetin e propozuar për vitin 2018

Prishtina

INPO: Shpend Ahmeti vonon buxhetin e propozuar për vitin 2018

Më: 18 gusht 2017 Në ora: 16:04
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti

Organizata joqeveritare INPO reagon ashpër ndaj moszbatimit të obligimeve ligjore për hartimin e buxhetit të komunës së Prishtinës për vitin 2018 nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Në një komunikatë për media, INPO përkujton se kryetari Ahmeti ka vetëm edhe 10 ditë afat ligjor që t’i dorëzojë Kuvendit Komunal buxhetin e propozuar për vitin 2018 dhe vlerësimet për dy vitet e ardhshme fiskale, ndërkaq deri më sot qytetarëve nuk u është prezantuar asnjë informatë rreth përmbajtjes së draft buxhetit për vitin e ardhshëm.

Për më tepër, INPO thekson se nuk janë mbajtur dëgjimet buxhetore me qëllim të përfshirjes së qytetarëve në procesin e hartimit të buxhetit të komunës.

“Komuna e Prishtinës ka dështuar të respektojë obligimet ligjore që dalin nga Ligji për Financat Publike dhe përgjegjësitë e Republikës së Kosovës dhe rregulloreve komunale rreth ciklit të përgatitjes të politikave fiskale për vitin e ardhshëm. Mos angazhimi i kryetarit të Komunës në këtë proces është reflektuar qysh në muajin qershor, ngase komuna nuk ka miratuar as Kornizën Afatmesme Buxhetore”, thuhet në reagim.

INPO po ashtu konsideron se kryetari Ahmeti ka dështuar që këtë dokument strategjik ta dorëzojë në kuvend.

Sipas ligjit respektiv, statutit të komunës, rregullores për transparencë dhe planit të veprimit për transparencë të komunës, kryetari obligohet që të konsultojë publikun gjatë gjithë muajit gusht, në mënyrë që të merren parasysh kërkesat dhe propozimet e qytetarëve dhe grupeve të interesit në prioritizimin e politikave investuese  për vitin e ardhshëm.

INPO shpreh shqetësim rreth për moszbatimin e obligimeve ligjore, cenimin e parimit të transparencës dhe mos përfshirjen e qytetarëve në procesin e hartimit të këtij dokumenti.

Po ashtu, INPO vlerëson se këto shkelje ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e planifikimit të mirëfilltë buxhetor, i cili do të garantonte efikasitet dhe efektivitet të shpenzimit të parasë publike.

“Ia rikujtojmë kryetarit Ahmeti se sipas indeksit të kënaqëshmërisë së qytetarëve me shërbimet komunale në Prishtinë të publikuar nga INPO, 92% e qytetarëve janë deklaruar se nuk kanë marrë pjesë asnjëherë në dëgjimet publike që organizon komuna për hartimin e buxhetit. Ky rezultat do të duhej të ishte alarm për komunën e Prishtinës që me të gjitha kapacitet e saj të angazhohej në krijimin e urave të komunikimit me qytetarë dhe përfshirjes së tyre në proceset vendimmarrëse”, thuhet më tej në reagim.

INPO kërkon nga komuna e Prishtinës që sa më parë të bëjë publik dhe të qasshëm draft buxhetin e komunës për vitin 2018, si dhe të organizojë dëgjimet buxhetore me qytetarë.

Gjithashtu, i bën thirrje Kuvendit Komunal që të jetë më azhur në mbikëqyrjen e punës së kryetarit të Komunës dhe të ushtrojë me përpikëri detyrat dhe kompetencat ligjore në zbatimin e mekanizmave të kontrollit dhe llogaridhënies.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat