Shenjtërorja “Nëna Tereze” në Prishtinë

Prishtina

Shenjtërorja “Nëna Tereze” në Prishtinë

Më: 24 gusht 2017 Në ora: 12:45
Shenjtërorja “Nëna Tereze”

Në afërsi të Ulpianës, Shën Florit dhe Laurit, martirëve  tanë të parë të Dardanisë (fillimi i shekullit të II pas Krishtit), krejt afër varrit dhe eshtrave të zhdukur të arqipeshkvit të fundit të Prishtinës, Imzot Pjetër Bogdanit, si dhe martirëve të panumërt të shumë gjeneratave, kemi hirin dhe dhuratën të lajmërojmë dhe ftojmë në shugurimin e Shenjtërores “Nëna Tereze” në Prishtinë, Bijës, Motrës dhe Nënës së këtij Populli dhe kësaj Kishe, në të cilën ajo mori sakramentet dhe thirrjen misionare në Shenjtëroren dioqezane në Letnicë.

Duke filluar nga këto fakte historike, si dhe nevoja e kahershme e Kishës sonë, Komuna e Prishtinës, me mbështetje të madhe të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, ndau truallin e caktuar për ndërtimin e  kësaj Shenjtërore. Pas studimit dhe përpunimit të projektit nga arkitekti Livio STERLICCHIO dhe grupi i tij nga Roma, gur-themeli është bekuar më 26 gusht 2005, nga tashmë i ndjeri Imzot Mark SOPI, në praninë e të ndjerit Dr. Ibrahim RUGOVA, me pjesëmarrje të kardinalit  amerikan Theodor McCarrick, Imzot Zef GASHI, Imzot Dodë GJERGJI,  meshtarëve, rregulltarëve dhe rregulltareve, autoriteteve ndërkombëtare dhe vendore,  të shumë besimtarëve dhe qytetarëve.

Mirëpo vdekja e papritur e ipeshkvit Imzot Mark SOPI, (11 janar 2006), si dhe  Presidentit të  Dr. Ibrahim Rugova, (21 janar 2006), kishte shkaktuar shtyrje të domosdoshme të  procesit të ndërtimit.

Me emërimin dhe ardhjen  ipeshkvit të ri për Kosovë, Imzot Dodë GJERGJI,  ky proces u përshpejtuar, për të arritur atë që ishte premtuar, që më 2010 të kremtohej 100-vjetori i lindjes së të Lumes Nënës Tereze së paku nën kulmin e këtij Tempulli.

Fillimet e punimeve të ndërtimit ishin më 5 shtator  2007, në festën e së Lumes Nënës Tereze.

Synimi ynë kryesor ishte përurimi dhe bekimi i Shenjtërores “Nëna Tereze” në Prishtinë, më 5 shtator 2013, me rastin e 1700 vjetorit të Ediktit të Milanos dhe Vitit të Fesë, 10 vjetori i Lumturimit të saj.

Shenjtërimit të Shën Nënës Tereze i parapriu Koncerti i Filharmonisë së Kosovës “Valsi Hyjnor” në Bazilikën “Shën Pali jashtë Mureve” (3 shtator 2016), ku është promovuar Himni i Bamirësisë kushtuar asaj. Meshën e Shenjtërimit e udhëhoqi Papa Françesku në  Sheshin “Shën Pjetër”, në Vatikan (4 shtator);  Mesha e falënderimit  ishte udhëhequr nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin (5 shtator). 

Më 5 shtator 2017, në 20 vjetorin e vdekjes dhe 1 vjetorin e shenjtërimit, bëhet shugurimi i Shenjtërores “Nëna Tereze” në Prishtinë, që e udhëheq i dërguari personal dhe special i Papës Françeskut, hirësia e Tij, kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani.

Domethënia dhe porosia e Shën Nënës Tereze për ne

Shenjtërorja “Nëna Tereze” në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ka dy qëllime dhe synime thelbore: “kthimin” apo mishërimin e saj në mendjet dhe zemrat tona, si dhe ndërmjetësimin e saj për Kishën dhe Popullin tonë. Kështu, në këtë “shkollë” të dashurisë, ne do ta mësojmë dhe zbatojmë kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, virtyte që Nëna Tereze i mori ndër ne dhe i dëshmoi dhe barti në mbarë botën.

Gonxhe Bojaxhiu, kjo “Lule” e tokës dhe gjakut tonë, u bë motra Tereze e Loretos (1929); Nëna Tereze, “Misionare e Dashurisë” (1950); Nobeliste e Paqes (1979), e Lumja Nëna Tereze (2003); Shën Nëna Tereze (2016).

 Këshilli  për media i Administraturës Apostolike të Prizrenit

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat