Ahmeti premton zgjidhjen e problemit me ujëra të zeza

Prishtina

Ahmeti premton zgjidhjen e problemit me ujëra të zeza

Më: 14 nëntor 2017 Në ora: 13:56
Shpend Ahmeti

Në ditën e dytë të fushatës për balotazh, kandidati i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti në një konferencë për media ka shpalosur programin e tij për investimet kapitale, për të cilat tha se tashmë janë të buxhetuara.

Ai me këtë rast tha se komuna e Prishtinës për vitin 2018 ka 70 milionë euro buxhet, ku më pak se gjysma janë për investime kapitale.

E sipas tij, investimet e kryera mandatin e kaluar për çështje bazike si  ajo e ujit, Termokosit e të tjera, tashmë kanë hapur rrugë për investime të reja kapitale.

Në mandatin e ardhshëm, Ahmeti tha se do të rregullojnë problemin e kolektorëve të mëdhenj të cilët kapin shumën mbi 6 milionë euro, ku pastaj do të mbetet vetëm kyçja në kanalizim në mënyrë që këto do të shkojnë në kufirin e Prishtinës me Fushë Kosovën ku do të ndërtohet fabrika e ujërave të zeza.

Ahmeti: Kolektorët arrijnë vlerën mbi 6 milionë

“E para që dua të përmendi ka të bëjë më kanalizimin dhe ndërtimin e dy kolektorëve kryesorë që na kanë mbetur, ajo është në lagjen Mati 1 që e kemi mbulimin e një lumi që shërben si kanalizim, dhe kolektorin në Kalabri, me ç’rast ne jemi duke e implementuar atë projekt sepse ai ka filluar, është kryer shpronësimi dhe do të përfundojë përafërsisht në fund të vitit 2018... Këto janë dy projekte kapitale të cilat arrijnë shumat gati mbi 3 milionë euro secila”, theksoi ai.

Ahmeti të martën ka premtuar edhe një sallë koncertale  në sheshin e Prishtinës, ku tha se opsioni më i mirë për vendosjen e saj është zhvendosja e ATK-së dhe shfrytëzimi i atij objekti për këtë sallë, me ç’rast do të ishte në harmoni me Teatrin Kombëtar.

Ai nuk la pa përmendur edhe sheshin “Adem Jashari” dhe hapësirat rekreative për të cilat tha se janë planifikuar mirë dhe se është ndarë buxheti për to.

Ahmeti: 1 milionë euro në vit për parqe dhe hapësira rekreative.

“Kam thënë 1 milion euro në vit për parqe dhe hapësira rekreative. Tashmë e kemi nënshkruar kontratën për sheshin ‘Adem Jashari’ për sanimin e dyshemesë, e cila do të ndërrohet komplet në vitin 2018  dhe po ashtu do të shtohet gjelbërimi. Shkallët e Dragodanit që momentalisht janë para nënshkrimit të kontratës, që do ta lidhin tash prej Dragodanit me rrugën UÇK, hapësirën deri tek pjesa e vjetër e qytetit ku po e ndërtojmë tash tregun e ri të qytetit. Dhe po ashtu kemi investime kapitale të platove të ndryshme në Breg të Diellit, në Dardani, fushë të sportit në Kodër të Trimave, ku të gjitha këto e kanë koston e vet dhe tashme janë të buxhetuara... 400 mijë euro të ndara për galerinë e qytetit, ndërsa si prioritet e kemi sallën koncenrtale ”, tha ai.

Në përfundim të fjalës së tij, rreth Ahmetit u grumbulluan disa qytetarë të cilët shprehën mbështetjen e tyre për të si kryetar të Prishtinës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat