Abrashi iu bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e propagandës së dështakëve

Prishtina

Abrashi iu bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e propagandës së dështakëve

Më: 15 nëntor 2017 Në ora: 19:44
Kandidati i LDK-së për kryetar të komunës së Prishtinës, Arban Abrashi

Kandidati i LDK-së për kryetar të komunës së Prishtinës, Arban Abrashi, ka mbajtur të mërkurën një tubim në shkollën “Eqrem Çabej”, ku iu ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e propagandës dhe shpifjeve të atyre që dështuan për katër vjet në Prishtinë dhe nuk e realizuan asnjë projekt domethënës në interes të qytetarëve.

“Prishtinës i nevojitet një kryetar që punon. Dembelin duhet ta largojmë nga zyra. Duhet të mobilizohemi që të mos biem pre e propagandave dhe shpifjeve, sepse qytetarët nuk duhet të lejojnë vazhdimin e dështimeve në Prishtinë. Ne kemi program adekuat për të forcuar lidhjen me qytetarët dhe për ta bërë Prishtinën një kryeqytet të zhvilluar”, ka thënë Abrashi.

“Qeverisja në largim e Prishtinës, të vetmet instrumente të qeverisjes ka pasur propagandën dhe demagogjinë. Prandaj, ata sot janë demaskuar si hipokritë dhe më 19 nëntor, do ta marrin dënimin e qytetarëve të Prishtinës”, ka thënë kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës.

Ai ka thënë se qeverisjen katërvjeçare e konsideron humbje kohe për Prishtinën dhe qytetarët e saj. “Ka pasur shumë demagogji e fare pak, për të mos thënë aspak, punë konkrete. Ata janë marrë me ‘çështje globale’, janë marrë me partinë e tyre, jo me qytetarët e Prishtinës. Unë dhe qeverisja që do të drejtoj do të merremi vetëm me Prishtinën dhe qytetarët e saj, pa asnjë dallim”, pohoi Abrashi.

Ai tha se i ka hyrë kësaj gare i vendosur për të fituar dhe për t’i dhënë Prishtinës qeverisjen që meriton. “Qeverisjen që e bën kryeqytetin tonë metropolitan. Fuqia e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mbështetja e qytetarëve të Prishtinës më bën optimist se projekti që unë e udhëheqë do të fitojë. Ne kemi projekte konkrete për arsimin në nivel lokal, për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale, ne kemi projekte konkrete për punësimin e të rinjve, për avancimin e aktiviteteve kulturore dhe sportive, për sektorin e bujqësisë dhe turizmit rural”, tha ai.

Ai shtoi se ne kemi projekte konkrete për menaxhimin e pronave publike në shërbim të qytetarëve, për rregullimin e urbanizmit, për investimet kapitale, për përmirësimin e shërbimeve publike dhe për nxitjen e investimeve.

Kryetari i Degës së LDK-së në këtë lagje, Mustafë Krasniqi u shpreh se duhet të jemi të përkushtuar që t'i ndihmojmë Arbanit për ta sjellë në Prishtinë një njeri meritor, të pastër, punëtorë, vizionarë dhe me plan konkret për të gjitha fushat.

Ai tha se nëse mobilizimi i LDK-së dhe gjithë qytetarëve të Prishtinës vazhdon kështu siç është tani, të dielën na pret një fitore e madhe dhe e merituar e Arbanit.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat