Abrashi: Në fund do të fitojmë

Prishtina

Abrashi: Në fund do të fitojmë

Më: 19 nëntor 2017 Në ora: 23:39
Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, është i bindur në fitore.

Ka thënë se fitorja e LDK-së dhe e tij si kryetar i Prishtinës do të jetë kur të numërohen edhe votat me kusht.

Abrashi ka thënë se do të fitojë në koalicion me qytetarët e Prishtinës dhe me partnerin e tyre AKR-në.

Postimi i plotë i Arban Abrashit në Facebook:

Jemi në garë. Dhe do të fitojmë.

Do t’i numërojmë të gjitha votat. Jam besimplotë se brenda atyre fletëvotimeve që kanë mbetur pa u numëruar, është fitorja jonë, fitorja e Prishtinës evropiane.

Me qetësi, me durim, me mençuri e me vendosmëri, do ta administrojmë procesin në vazhdim. Për ta çuar në vend vullnetin e qytetarëve të Prishtinës.

Unë besoj në fitore. Ashtu sikurse Ju besoj.

E kam filluar garën kur zgjedhjet ishin caktuar. Deri atëherë, as nuk më shkonte ndërmend se do të isha kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, forcës kryesore politike në Kosovë, për kryetar të Prishtinës.

Brenda pak javësh, me mobilizimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të ekipit tim, arritëm të përmbysnim epërsinë e rivalëve.

Dëshmuam se jemi konkurrentë të fortë dhe besoj të pathyeshëm.

Koalicioni ynë me qytetarët e Prishtinës dhe me partnerin e koalicionit tonë, do të ngadhënjejë.

Secila votë do të numërohet. Dhe ne do të këmbëngulim të mos lejojmë asnjë devijim të vullnetit të qytetarëve të Prishtinës.

Në fund, do të fitojmë.

Urime Prishtinë.

Kujtojmë se nga rezultatet preliminare të KQZ-së, Shpend Ahmeti i Lëvizjes Vetëvendosje prinë me 41 mijë e 403 vota apo 50.19 për qind, ndërsa Arban Abrashi i LDK-së me 41 mijë e 96 vota apo 49.81 për qind.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat