Pacolli nënkryetar i Prishtinës, flet për planet e tij dhe të Ahmetit

Prishtina

Pacolli nënkryetar i Prishtinës, flet për planet e tij dhe të Ahmetit

Më: 13 dhjetor 2017 Në ora: 20:24
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti është pajtuar që nënkryetar i kryeqytetit të jetë, Selim Pacolli. Sipas tij, do të ishte e drejtë dhe legjitime, sepse ai ka qenë personi i tretë më i votuar në Prishtinë.

Por, megjithëse nuk është bërë zyrtare, kjo çështje tashmë është e përfunduar.

Që Selim Pacolli të jetë nënkryetar i Prishtinës, është dakorduar në marrëveshjen parazgjedhore që kanë bërë Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca Kosova e Re.

Në një prononcim për media, vet Pacolli ka treguar se kjo ka qenë në marrëveshjen që ata kanë bërë para zgjedhjeve.

“Ka qenë në marrëveshjen e bërë parazgjedhore. Unë do të jem nënkryetar i Prishtinës”, ka thënë Pacolli.

Ai ka treguar se projektet të cilat i ka paraparë ai për Prishtinën janë shkrirë në një projekt të përbashkët me atë të Shpend Ahmetit, dhe në këtë mënyrë edhe do vazhdojë qeverisja katër vjeçare.

“Ne me Ahmetin dhe me Vetëvendosjen kemi një projekt të përbashkët ku i kemi gjetur pikat e përbashkëta dhe i kemi futur bashkë në një projekt dhe ato të cilat kanë pasur një divergjencë të caktuar, e kemi gjetur një mundësi që të futen në fazën e dytë dhe të trajtohen si projekt i përbashkët. Jam i sigurt se së bashku me Ahmetin do e bëjmë implementimin e programeve tona si një program i përbërë deri në fund të mandatit përfundimtar”, ka shtuar Pacolli.

Më tej, Pacolli ka deklaruar se janë të hapur për bashkëpunim edhe me kundër-kandidatët nga partitë e tjera, dhe do të jenë të hapur të pranojnë programet e tyre, që janë të implementueshme krahas programeve të tyre.

“Nuk ka nevojë të bëhemi hasëm mes vete. Duhet të kemi përkrahjen e të gjithë kundër-kandidatëve që e kemi pasur. Përkrahjen që t’ia arrijmë qëllimet e tona dhe mundësisht të na ofrojnë prej programeve të tyre diçka që është e implementueshme krahas programeve tona. Të insistojnë edhe ata që diçka që është e mirë për qytetarët e Prishtinës e që është në programin e tyre të futet brenda rendit të punës. Së bashku, të gjithë kandidatët do të ishte mirë të shtyjmë çdo vlerë të qytetarëve”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, VV dhe AKR kanë bërë koalicion të përbashkët në Prishtinë, para zgjedhjeve të balotazhit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat