Përkeqësohet gjendja e ujit të papërpunuar në liqene dhe Ibër Lepenc

Prishtina

Përkeqësohet gjendja e ujit të papërpunuar në liqene dhe Ibër Lepenc

Më: 4 mars 2018 Në ora: 18:41
Ibër Lepenc

Për shkak të reshjeve atmosferike ditëve të fundit, gjendja e ujit të papërpunuar në liqene dhe kanalin e Ibër Lepencit është përkeqësuar sërish, për shkak të ngritjes së turbullirës, gjë që nuk po lejon të trajtohet uji i pijshëm në kushte optimale.

KRU Prishtina përmes një njoftimi bën të ditur se gjendja më e papërshtatshme është në fabrikën e trajtimit të ujit në  FPU-Drenas, që ujin primar e merr nga kanali i Ibrit në Bivolak.

Ky kanal, me gjatësi prej 50 km, është i pambrojtur nga ujërat sipërfaqësore gjatë reshjeve, duke ndikuar që turbullira në këtë kanal të jetë në vlera të larta e që na pamundëson trajtimin e ujit të pijshëm, për shkak që shfaqen probleme teknologjike dhe papastërti, thuhet në njoftim.

Situatë e ngjashme gjatë ditës së sotme është edhe në Lipjan, fshatin-Torinë, për shkak të përmbytjeve si dhe në Fushë Kosovë/Miradi e Ulët, po ashtu për shkak të përmbytjeve nga lumi Sitnica.

Në zonat e tjera të shërbimit vazhdon furnizim stabil me ujë të pijshëm, ndërkohë që KRU Prishtina është duke monitoruar në vazhdimësi kualitetin e ujit, për shkak të situatës së krijuar së fundmi.

KRU Prishtina kërkon mirëkuptim nga konsumatorët e zonave të prekura.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat