Kërkohen hetime për dallaveret në NPB

Prishtina

Kërkohen hetime për dallaveret në NPB

Më: 6 qershor 2018 Në ora: 15:56
Dren Kukaj

(E plotësuar) - Komuna e Prishtinës i ka bërë thirrje Prokurorisë dhe Policisë së krimeve ekonomike që të hetojë konkursin e lokaleve në Ndërmarrjen Publike Banesore, pas publikimit në media të një audio-incizim të drejtorit të NPB-së me një anëtar të bordit ku dëgjohet biseda për konkurs të lokaleve dhe favorizim të bizneseve.

Sipas këtij audio incizimi, njeri person i thotë tjetrit se nëse nuk fitojnë ato kompani, konkursi duhet të anulohet.

Nga Komisioni Komunal i Aksionarëve në Ndërmarrjen Publike Banesore, aksionari Dren Kukaj, ka thënë se në këtë incizim të publikuar gjatë ditës së djeshme vërehet qartë se drejtori i Ndërmarrjes Publike Banesore dhe një anëtar i bordit favorizojnë biznese të caktuara.

Kukaj: Kërkojmë hetime

“Mandati i kryeshefit ekzekutiv, si dhe mandati i bordit të drejtorëve tashmë ka skaduar, pra dje na është paraqitur një audio-incizim është e qartë që ndërlidhet me një orvatje për të kurdisur një konkurs. Madje, nga persona të cilëve iu ka skaduar mandati për të qenë aty. Së fundmi, gjithashtu edhe kemi kërkuar nga Policia e Kosovës që këta persona të largohen nga objekti. Vendimet që i kemi marrë si aksionarë dhe si persona të vetëm legjitim për vendimmarrje duhet të zbatohen menjëherë. Tash po ashtu do ta shpallim edhe konkursin për bordin e ri. Në të njëjtën kohë i ftojmë Prokurorinë dhe Policinë e krimeve ekonomike që ta hetoj konkursin për këto lokale, si dhe veprimet e tjera të jashtëligjshme nga këta persona që qëndrojnë jashtëligjshëm aty”, tha ai.

Kukaj tha se atyre si aksionarë iu është pamundësuar qasja në Ndërmarrjen Publike Banesore, i cili u shpreh se nuk kanë dashur të përleshen fizikisht dhe se për këtë arsye në mbledhjen e fundit i kanë kërkuar Policisë së Kosovës që ta vendos rendin aty.

Kërkesë e tyre, sipas Kukajt, është që personat që do të udhëheqin me Ndërmarrjen Publike Banesore të zgjidhen në mënyrë ligjore.

Kukaj: Personat që do të udhëheqin me NPB të zgjidhen në mënyrë ligjore

“Krejt çka kërkojmë ne është që personat, të cilët do të udhëheqin me Ndërmarrjen Publike Banesore të zgjidhen në mënyrë të rregullt e të përcaktuar me ligj, asgjë më shumë. Nuk e paragjykojmë se kush do të jetë i përzgjedhur, e kemi të pamundur. Mirëpo, edhe në konkursin që ne e kemi shpallur në të kaluarën asnjëherë nuk kam pasur qasje unë personalisht si aksionar nuk e di se kush ka aplikuar. Pra, i gjithë dokumentacioni që është në ndërmarrje për ne është i pa qasshëm, të gjitha shkresat që ne ia dërgojmë Ndërmarrjes Publike Banesore kthehen prapa. Pra, është një situatë ku persona që jashtëligjshëm e jashtë mandatit qëndrojnë aty dhe e kanë bllokuar komunikimin në tërësi me atë që konsiderohen që janë pronarë të kësaj ndërmarrje që jemi ne aksionarët”, tha Kukaj.

I pyetur nga mediat nëse prapa këtij incizimi qëndron Partia Socialdemokrate, Dren Kukaj tha se në Komunën e Prishtinës nuk paraqet qëndrimet e subjektit pjesë e të cilit është.

Kukaj: Nuk jam këtu për të paraqitur qëndrime të subjektit politik të cilit i takoj

v“Nuk jam këtu për të paraqitur qëndrime të subjektit politik të cilit i takoj , unë këtu jam për t’i paraqitur. Jo, jo domosdoshmërish, përgjatë veprimtarisë time në këtë Ndërmarrje nuk i shërbej subjektit politik të cilit i takoj. Unë konsideroj se jam i obliguar t’i shërbej komunës dhe zbatimit të ligjit. Nuk jam këtu për t’i paraqitur bindjet e mija personale, vetëm duhet të them se ligji nuk është duke u zbatuar”, tha ai.

Ndërkohë ai ka bërë të ditur tri vendimet që si Komision i Komunal i Aksionarëve të ndërmarrjes NPB kanë marrë në mbledhjen e fundit.

Kukaj: Kemi autorizuar Policinë e Kosovës që ta mbajë situatën nën kontroll aty

“I pari vendim ka të bëjë me atë që disa po e konsiderojnë se ka qenë i jashtëligjshëm, pra emërimi i një bordi të përkohshëm, pra ky vendim këtu përmes të cilit ne kemi shfuqizuar atë vendim që konsiderohet se është i jashtëligjshëm. Pra, të gjitha pretendimet se ne kemi vepruar jashtëligjshëm nuk qëndrojnë, sepse i kemi shfuqizuar. Kemi marrë po ashtu një vendim tjetër ku e kemi emëruar në kryeshef ekzekutiv atë i cili nuk mund t’i ushtroj detyrat e tij e i cili po ashtu dokument është i ligjshëm. Gjithashtu, edhe një dokument tjetër përmes të cilit kemi autorizuar Policinë e Kosovës që ta mbajë situatën nën kontroll aty, për shkak se punëtorët e sigurimit që aktualisht shërbejnë në ndërmarrje disi edhe janë instrumentalizuar nga ajo udhëheqje”, tha ai.

Kukaj tha se beson që tash edhe Kuvendi Komunal e ka të qartë se çfarë kanë bërë në mbledhjen e fundit kur ka shkarkuar Qëndrim Sahitaj nga pozita e aksionarit NPB.

Zyrtarët komunalë ftojnë Policinë për hetim në NPB

Komuna e Prishtinës ka ftuar gazetarët në një konferencë të jashtëzakonshme në të cilën kanë folur në lidhje me raportimet e mediave për një kurdisje të një tenderi në Ndërmarrjen Publike Banesore.

Dren Kukaj aksionar në këtë ndërmarrje tha se nga mediat e kanë kuptuar për kurdisje të tenderit për dhënien në shërbim të disa lokaleve.

"Njëri person i thotë tjetrit se nëse ato kompani nuk fitojnë duhet të anulohet konkursi. Për neve ishte e paqartë pse ishte anuluar konkursi. Mandati i kryeshefit ekzekutiv dje kryetarit të Bordit  tashmë ka skaduar. Dhe dje na është publikuar një dëshmi se si është kurdisur një konkurs. Ne kemi kërkuar edhe nga Policia e Kosovës që ata persona t'i lirojnë zyrat", tha Kukaj.

 Ai potencoi se atyre si aksionarë iu është pamundësuar hyrja tek Ndërmarrja Publike Banesore. 

"Është një situatë që disa persona jashtëligjshëm e kanë bllokuar Ndërmarrjen Publike Banesore. Krejt cka ne kërkojmë është që personat që do të qeverisin me këtë ndërmarrje të jenë të zgjedhur në mënyrë të ligjshme. Ata që janë sot iu ka skaduar afati. Po kërkojmë që të zgjidhen në mënyrë të rregullt ata që do të zgjidhen në krye të kësaj ndërmarrje", tha Kukaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat