Komuna e Prishtinë miratoi buxhetin rreth 88 milionësh, asnjë cent për ndërtimin e shkollave për vitin 2019 - Bota Sot
Komuna e Prishtinë miratoi buxhetin rreth 88 milionësh, asnjë cent për ndërtimin e shkollave për vitin 2019

Prishtina

Komuna e Prishtinë miratoi buxhetin rreth 88 milionësh, asnjë cent për ndërtimin e shkollave për vitin 2019

Më: 28 shtator 2018 Në ora: 09:14
Kuvendi komunal

(E plotësuar) - Në mbledhjen e tetë të Kuvendit Komunal të Prishtinës u diskutua për propozim-vendimi për miratimin e buxhetit për vitin 2019 dhe kornizës afatmesme buxhetore për periudhën 2019 – 2021.

Asamblistët u shprehën të papërgatitur të diskutojnë rreth kësaj pike, pasi materialet për planifikimin e buxhetit u janë shpërndarë mbrëmë.

Ata kërkuan që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet për një ditë tjetër për shkak se Komuna nuk ka organizuar dëgjime publike me qytetarët për planifikimin e buxhetit.

Eman Rrahmani nga Vetëvendosje tha se kjo pikë duhet të diskutohet pas një muaji.

“Kërkojmë të hiqet nga rendi i ditës pika e tretë e rendit të ditës dhe të diskutohet pas një muaji pasi të bëhen dëgjimet publike me qytetarët”, tha Rrahmani.

Halim Halimi  nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se kjo pikë e rendit të ditës duhet të shtyhet pasi i kanë marrë vonë materialet.

“Kërkoj nga kryesuesi i Kuvendit dhe asamblistët të shtyjmë këtë mbledhje për javën e ardhshme pasi nuk e kemi marrë me kohë materialin e duhur për të qenë të përgatitur për të miratuar buxhetin për vitin 2019-2021”, tha Halimi.

Agim Gashi po ashtu nga LDK tha se duhet të shtyhet kjo pikë e rendit të ditës pasi nuk është planifikuar mirë buxheti i Komunës.

“Po them që në pasqyrat e buxhetit të 2019 mungojnë katër- pesë pika të rëndësishme dhe jetike për Komunën e Prishtinës, siç është menaxhimi i mbeturinave dhe hedhja e mbeturinave inerte. Asnjë komunë nuk ka ku i hedh, kurse Komuna e Prishtinës e ka projekt që tre- katër vjet. Po ashtu nuk e pashë askund rrjetin e kanalizimit në Llukar, zgjerimi i rrjetit të ujësjellësit në fshatrat e kryeqytetit, asnjë shkollë nuk është planifikuar të ndërtohet me buxhet të Komunës së Prishtinës dhe nuk mund të presim edhe katër vjet BERZH-in, edhe planifikimi për shpërndarjen e librave nuk është mirë”, u shpreh Gashi.

Leutrim Retkoceri nga PDK-ja tha se ky buxhet ka nevojë për plotësim pasi nuk i ka prioritet investime kapitale

“Ky buxhet ka hapësira që mund të mbuloheshin më mirë dhe ka nevojë për plotësim. Ky buxhet nuk i ka prioritet investimet kapitale sidomos buxheti i ndarë për çerdhe pasi kemi problem me regjistrimin e fëmijëve në këto institucione. Gjithashtu edhe për shkolla siç e kemi rastin e shkollës ‘Ismail Qemaili’, ku mësimdhënësit i ndalojnë fëmijët të shkojnë në banjo për shkak të papastërtisë. Mendoj se duhet me nda buxhet edhe për këtë pjesë, mendoj që Prishtina duhet të fokusohet më shumë për investime kapitale”, u shpreh Retkoceri.

Leutrim Retkoceri nga PDK-ja dhe Egzon Azemi nga VV sërish edhe në këtë mbledhje ju drejtuan njëri tjetrit me akuza për koalicione ndërmjet PDK-së e PSD-së.

Kryetari Shpend Ahmeti, tregoi për arsyet se pse nuk kanë planifikuar buxhet nga komuna për ndërtimin e shkollave.

“Pesë shkolla kanë me u ndërtu dhe nuk e kemi pa të arsyeshme me e fut në buxhet, janë dhanë nënshkrimet me Bankën Botërore që Komuna ka me i mirëmbajt dhe kemi me i pagu këstet kapak- kapak”, tha kryetari Ahmeti.

Ai tha se Komuna do t`i paguaj në dhjetë vitet e ardhshme mjetet për ndërtimin e këtyre shkollave.

“Këto shkolla kanë më u pa pas 18 muajsh kur fillojnë ndërtimin të gjitha menjëherë, këto shkolla ka me i financuar Komuna e Prishtinës sepse ka me ja pagu Bakës Botërore me kuazi-kredi për dhjetë vjetët e ardhshme”,, tha  Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës.

Kuvendi i Prishtinës shqyrton buxhetin për vitin 2019 (Drejtpërdrejt)

Në orën 10:00,në sallën e Kuvendit Komunal mbahet mbledhja e Kuvendit Komunal të Prishtinës me këtë rend të ditës:

1.Miratimi i ekstraktit të procesverbalit të mbledhjes së gjashtë të Kuvendit të

Komunës së Prishtinës;

2. Propozimvendimi për miratimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës për

vitin 2019 dhe Kornizës afatmesme buxhetore për periudhën 2019-

2021(KAB);

3. Propozimvendimi për rritje të mjeteve të të hyrave vetanake 2017 dhe për

bartje të mjeteve nga viti 2017 në vitin 2018;

4. Pyetje dhe përgjigje;

5. Të ndryshme.

Kuvendi i Prishtinës shqyrton buxhetin për vitin 2019

Sot mbahet mbledhja e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku do të shqyrtohet propozimvendimi për miratimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2019 dhe kornizës afatmesme buxhetore për periudhën 2019-2021.

Gjithashtu do të shqyrtohet propozimvendimi për rritje të mjeteve të të hyrave vetanake 2017 dhe për bartje të mjeteve nga viti 2017 në vitin 2018.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...