Operatorët e linjës 7 kundërshtojnë qarkullimin e autobusëve të rinj - Bota Sot
Operatorët e linjës 7 kundërshtojnë qarkullimin e autobusëve të rinj

Prishtina

E diel, 18 nëntor 2018

Operatorët e linjës 7 kundërshtojnë qarkullimin e autobusëve të rinj

Më: 1 tetor 2018 Në ora: 17:25
Ilustrim

Që nga dita e sotme kryeqytetit i janë shtuar edhe 21 autobusë urban e po ashtu edhe disa linja të reja. Risi sipas kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti, është linja e Kalabrisë që fillon tek Pastrimi dhe kalon në disa rrugë të Kalabrisë, përfshi rrugën te Stacioni dhe “Banesat e Arabëve”.

E pikërisht kjo linjë e re ka bërë që kompanitë që e mbajnë linjën 7 të protestojnë gjatë ditës së sotme, ku kanë bllokuar rrugën “Tahir Zajmi” ku ka nisur qarkullimin linja e re e trafikut urban.

Drejtuesit e këtyre kompanive kanë thënë se kanë protestuar pasi që komuna nuk i ka njoftuar paraprakisht për këtë vendim.

Menaxheri i kompanisë “Citi Bus”, Isak Mustafa, ka thënë se nuk pajtohen që të shtohet një linjë e re e trafikut urban, pasi sipas tij thuajse 80 përqind kalon në të njëjtën trase.

Mustafa: Qarkullon 80 përqind thuajse në të njëjtën trase

"Arsyeja e protestimit ka qenë se një linjë e re e Trafikut Urban ka insistuar që të lëshojë në qarkullim disa autobusë të cilët nuk kanë qenë asnjëherë kjo linje. Arsyeja jonë ka qenë ajo për shkak se ne jemi qe 12 vite në këtë linjë dhe pa kurrfarë paralajmërimi e kanë futur qysh në mëngjes sot Trafiku Urban një nisje të re. Ne për atë nuk kemi qenë të pajtimit dhe për atë arsye edhe e kemi bërë bllokimin e rrugës, jo që e kemi bllokuar rrugën për vetura dhe për qytetarët vetëm për linjën e re të cilën insiston Trafiku Urban për të qarkulluar, kur ne jemi qe sa vite, nuk po na doket e arsyeshme me qarkullua ai thuajse 80 përqind në të njëjtën trase”, tha Mustafa.

Ai ka thënë se sot kanë vazhduar punën, por që nëse nuk do të ndalohet kjo linjë do të vazhdojnë të protestojnë.

Mustafa: Do të vazhdojmë nëse nuk marrin ndonjë hap

“Mbrëmë vonë kemi dëgjuar për këtë linjë që dëshiron ta lëshojë Trafiku Urban përmes Facebookut. Kemi ardhur sot në 7e 30 kemi protestuar deri në ora 10 sot, mirëpo prapë do të vazhdojmë nëse nuk marrin ndonjë hap ose ndonjë masë për ta ndaluar atë se nuk është e arsyeshme”, ka thënë Mustafa.

Ndonëse kompanitë që mirëmbajnë linjën 7 thonë se edhe linja e re e Trafikut Urban përshkon të njëjtën rrugë, ndryshe thonë nga komuna e Prishtinës.

Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, ka bërë të ditur se janë takuar me drejtuesit e kompanive që mirëmbajnë linjën 7.

Po ashtu, ai përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se vetëm në zonat rreth stacionit të autobusëve takohen autobusët privatë me ata të Trafikut Urban që janë të caktuar për lagjen Kalabria.

“I kemi takuar dhe ua kemi sqaruar situatën. Ata e kanë linjën për Kolovicë, ku nuk shkojnë autobusët e Trafikut Urban. Vetëm në zonat rreth Stacionit të Autobusëve takohen autobusët privatë me ata të Trafikut Urban që janë caktuar për lagjen ‘Kalabria’. Reformës së transportit publik në Prishtinë duhet t'i përshtaten operatorët privatë, e jo anasjelltas”, ka thënë Tahiri.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, mbrëmë përmes rrjetit social Facebook ka bërë të ditur se sot do të dalin në qarkullim 21 autobusët e rinj.

Po ashtu, ai ka bërë të ditur se linjës 3 do t’i shtohet edhe një sub-linjë që kalon te “Princi i Arbërit” dhe përshkon edhe gjithë rrugën “Muharrem Fejza”. Një autobus do të qarkullojë tre herë në ditë në fshatrat e Gollakut deri në Keqekollë.

Ndërkohë, që ai ka shkruar se në ditët në vijim do t’i paraqesin edhe hartat e sakta në stacione si dhe broshurat.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test