12 kompani të autobusëve protestojnë para objektit të Komunës

Prishtina

12 kompani të autobusëve protestojnë para objektit të Komunës

Më: 8 tetor 2018 Në ora: 18:33
Ilustrim

Pakënaqësitë për 21 autobusët e rinj që erdhën të dielën e kaluar në Prishtinë, vazhduan edhe sot.

Pronarët e kompanive të linjave private të autobusëve në Prishtinë: 3A, 5, 7, 6, 7B, 7A dhe 10, kanë protestuar kundër  vendimit të Komunës për të futur autobusët e rinj në linjat e tyre.

Sipas tyre, ardhja e këtyre autobusëve, po ua merr  udhëtarët që kanë për destinacion këto linja. Madje ata kanë thënë se që nga koha kur ka filluar qarkullimin, u ka rënë puna, ndërsa kanë deklaruar se deri më tani nuk kanë pasur asnjë takim me zyrtarë nga Komuna. Por, një gjë të tillë e mohon zyrtari i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri.    

Ai tha se deri më tani  kanë pasur disa takime me ta dhe ka shtuar se nuk do të ndërrojnë qëndrim.

Tahiri: Operatorët duhet të përshtaten, qëndrimi ynë është i njëjtë

“Ne kemi takuar ata disa herë gjatë javës së kaluar, dhe nesër do t’i takojmë prapë. Përsëri, qëndrimi ynë është i njëjtë, situatën e njëjtë do ta sqarojmë, nuk u merren linjat, në disa prej stacioneve takohen autobusët e linjave private dhe me ato të linjave publike. Ne ka tash e pesë vjet që e promovojmë dhe e bëjmë reformën  në trafikun urban, reformën e së cilës, dhe operatorët duhet t’i përshtaten, e jo të ndodh e anasjelltas”, tha Tahiri.

Ndërkohë, përfaqësuesit e kompanive private pritet të takohen nesër me të parin e kryeqytetit, Shpend Ahmeti, duke shpresuar se do të arrijnë të gjejnë  një zgjidhje të pranueshme nga të dy palët.

21 autobusët e rinj që erdhën të dielën  e kaluar në Prishtinë, u vunë në qarkullim nga e  hëna. Që nga ajo ditë kompanitë private të urbanëve kanë shprehur pakënaqësitë e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat