Pa leje ndërtimi, nis puna përgatitore për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë - Bota Sot
Pa leje ndërtimi, nis puna përgatitore për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë

Prishtina

E enjte, 15 nëntor 2018

Pa leje ndërtimi, nis puna përgatitore për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë

Më: 12 tetor 2018 Në ora: 19:11
Pa leje ndërtimi, nis puna përgatitore për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë

Bashkësia Islame e Kosovës ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimore për  ndërtimin e Xhamisë së Madhe ne Prishtinë, por ka filluar fazën përgatitore për ndërtimin e saj.

Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovë, Ahmet Sadriu, e ka konfirmuar për se kanë filluar punimet përgatitore nga kompania, e cila do ta kryejë ndërtimin e Xhamisë së Madhe.

“Punët fillestare kanë fillu me u ba dhe kjo është sinjal që paraprakisht jemi duke i bërë përgatitjet. Kompania që do t’i kryejë punimet për rregullimin e instalimit të rrymës, ujit e kanalizimit dhe po i kryen disa punë se duhet me i largu sepse përmes parcelës kalojnë disa kablla të ujit, rrymës e kanalizimit, të cilat janë punë përgatitore për me ja fillu ndërtimit dhe të gjitha këto punë që po kryhen janë në koordinim me Komunën e Prishtinës”, tha Sadriu.

Kurse,  zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri tha se Bashkësia Islame i ka marrë kushtet ndërtimore po nuk ka aplikuar ende për leje ndërtimore.

“Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka më shumë se një vit që i ka marrë kushtet ndërtimore dhe sivjet ka aplikuar për vazhdimin e afatit të tyre. Kur pala i merr kushtet ndërtimore nga Komuna, mund ta bëjë rrethimin e punishtes, heqjen e shkurreve, e të ngjashme. Zhvillimet aktuale në terren, janë në kuadër të kësaj. Përndryshe, BIK ende nuk ka aplikuar për leje të ndërtimit”, tha Tahiri.

Vendimi për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë ishte marrë në vitin 2012 kur Prishtina udhëhiqej nga Isa Mustafa.

Atëherë ky vendim ishte miratuar në Kuvendin Komunal të Prishtinës pa asnjë kundërshtim.

Të gjitha asamblistët e kryeqytetit votuan pro që lokacioni i Xhamisë së Madhe të ishte pranë Postës së Madhe.

Bashkësia Islame e Kosovës qysh nga viti 2013 ka filluar të kërkojë leje për lokacionin e ndarë për fillimin e ndërtimeve të Xhamisë së Madhe.

Për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në kryeqytet pati shumë ankesa e kundërshtime për lokacionin dhe projektin e ndërtimit.

Disa anëtarë të shoqërisë civile, patën nisur një peticion për të kundërshtuar ndërtimin e xhamisë me arsyetimin se xhamia, e cila pritet të ndërtohet nuk është në harmoni me objektet e zonës dhe se objekti nuk është në përputhje me kriteret e konkursit.

Në vitit 2013, BIK kishte prezantuar të gjitha projekt-propozimet nga 81 zyra arkitektësh nga tridhjetë vende të botës. Ndërsa një muaj më pas publikoi dy kompani të cilat kishin zënë vendin e parë në këtë garë dhe një projekt tjetër në vendin e tretë.

Në mesin e propozimeve ishte edhe projekti i Zaha Hadid.

Zaha Hadid Mohammad është një arkitekte  irakiane-britanike. Ajo ishte gruaja e parë që mori Çmimin e Arkitekturës së ‘Pritzker’ në 2004. Ajo mori çmimin arkitektonik më prestigjioz të Mbretërisë së Bashkuar, Çmimin Stirling, në vitin 2010 dhe 2011.Në vitin 2012 ajo u shpërblye nga Elizabeth II për shërbime për arkitekturës, dhe në vitin 2015 ajo u bë gruaja e parë dhe e vetme që u dha Medaljen e Artë Mbretërore nga Instituti Mbretëror i Arkitektëve Britanikë.

Projektin e Xhamisë së Madhe e kishte fituar një kompani turke si dhe pritet të financohet nga Bashkësia Islame e Turqisë dhe do të kushtojë 35 deri në 40 milionë euro.

Bashkësia Islame e Kosovës ka pasur shumë ankesa për Komunën e Prishtinës se po e zvarritë fillimin e ndërtimeve.

Udhëheqësi  i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava kishte paralajmëruar ndërtimin pa leje të xhamisë nëse Komuna e Prishtinës vazhdon të vonohet në dhënien e lejes.

“Komuna duhet ta lëshojë lejen sa më shpejt. Thërras edhe një herë Komunën që të japë leje për ndërtimin e xhamisë në Prishtinë. Bashkësia Islame e Kosovës nuk dëshiron që t’i bëjë keq vendit. Por, vetëm mirë.  Nuk guxon askush që të na mbështetë për muri që ne pastaj të kërkojmë rrugë tjera për ndërtimin e xhamisë. Xhamia do të ndërtohet. Do të ndërtohet dhe shumë shpejt do të fillojë puna.  Qe pesë vjet kërkoj të jepet leje për ndërtimin e xhamisë. Projekti është kryer është dorëzuar në Komunë. Por, nuk po jepet leja”, ka thënë ai në Televizionin Publik në qershor të vitit të kaluar.

Kurse, Shpend Ahmeti kishte thënë se çështja e ndërtimit të Xhamisë së Madhe është e rëndësishme dhe nuk do të bllokohet.

“Çështja e Xhamisë së madhe në Prishtinë është çështje e rëndësishme për Prishtinën. As që është bllokuar e as që do të bllokohet. Por, sikurse edhe gjithçka tjetër në Komunën e Prishtinës do të trajtohet me sinqeritet, transparencë dhe diskutime. Ky projekt nuk është afatshkurtër, prandaj zgjidhja duhet të jetë e qëndrueshme dhe me planifikim të mirëfilltë”.

“Përveç nevojës së komunitetit të besimtarëve që është e plotësisht e qartë, duhet të trajtohet i gjithë blloku, lagja, komunikacioni dhe shumë çështje të tjera. Prandaj me trajtime nga ekspertët, zyrtarët, banorët dhe përfaqësuesit e komunitetit do ti zgjidhim të gjitha çështjet”, pati shkruar Ahmeti në Facebook.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test