“Termokosi” thotë se është gati për ngrohje nga 15 tetori, por punët s’i ka kryer ende

Prishtina

“Termokosi” thotë se është gati për ngrohje nga 15 tetori, por punët s’i ka kryer ende

Më: 13 tetor 2018 Në ora: 18:34
Termokos

Të hënën duhet të nisë sezoni i ngrohjes në ndërtesat e lidhura me rrjetin Termokosit.

Përderisa gjatë verës, ka nisur rehabilitimi i disa nënstacioneve të ngrohtores së qytetit, as këtë vit nuk ka ndodhur zgjerimi i premtuar prej vitesh, për lagjet Kalabria e Mati 1.

Banorët e këtyre dy lagjeve janë të zhgënjyer, që edhe këtë dimër do të jenë të detyruar të gjejnë alternativa tjera për ngrohje, raporton 038.

Ata thonë se ngrohja me energji elektrike apo lëndë djegëse për ngrohje, janë më të shtrenjta dhe të dëmshme.

Pos kësaj, tri ditë para fillimit të sezonit të ngrohjes ende nuk kanë përfunduar as punimet në rehabilitimin e rrjetit në pjesët e vjetra.

15 tetori është data e paraparë me rregullore komunale për fillimin e sezonit të ngrohjes nga Termokosi, por kur kanë mbetur edhe pak ditë deri te kjo datë, Termokosi ende po punon në rehabilitimin e rrjetit.

Edhe pse punët në terren ende nuk janë kryer, në Ngrohtoren e Qytetit thonë se janë gati për sezonin e ri.

“Edhe punimet, që janë zhvilluar për rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes në dy segmente të caktuara në qytet, tashmë janë në përfundim. Tanimë kemi filluar edhe mbushjen e rrjetit të ngrohjes me ujë, gjë që i paraprinë fillimit të furnizimit me ngrohje. Pra, gjithçka është gati për fillimin e furnizimit me ngrohje nga 15 tetori, nëse kushtet klimatike, që do të mbretërojnë këtyre ditëve do të jenë në konditat e përcaktuara me aktet ligjore në fuqi. Furnizimi me ngrohje do të fillojë për mbi 13 mijë konsumatorët e ndërmarrjes sonë pa kurrfarë dallimi”, ka thënë Afërdita Fejzullahu, zëdhënëse në NQ “Termokos”.

Në këtë ndërmarrje a e as në Zyrën e Rregullatorit për Energji, nuk kanë treguar nëse, këtë vit, do të ketë ndryshim të çmimit për ngrohje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat