Gratë në Prizren protestuan për 8 Mars

Prizreni

Gratë në Prizren protestuan për 8 Mars

Më: 9 mars 2019 Në ora: 08:59
Gratë në protestë

Grupi joformal i grave dhe vajzave të Prizrenit, me rastin e Ditës së Gruas, dje marshuan rrugëve të këtij qyteti.

Marshi protestues filloi në sheshin Shatërvan për të vazhduar më pas kah sheshi i dëshmorëve dhe përfundoi tek ura e Arastës, ku grupi i grave dhe vajzave të “FEMaktiv” realizuan një performancë ku në një kurorë që e kishin thurrur me duart e tyre filluan t’i vendosin lulet së bashku me të gjithë pjesëmarrësit, në shenjë nderimi e përkujtimi për të gjitha gratë e shtypura, dhunuara e të vrara nga sistemi patriarkal.

Sipas organizatorëve, ky marsh është i shtyrë nga pozita e pafavorshme në të cilën gjendet gruaja në Kosovë, si e pa pronë, e pa zë, e ngacmuar seksualisht, e paragjykuar, e dhunuar dhe e vrarë.

Sipas grave, beteja e kundërshtimit ndaj shtypjes dhe diskriminimit gjinor nuk duhet të përfundojë vetëm në rrjete sociale, por duhet të zhvendoset në rrugë, sikundër që 8 marsi nuk duhet të jetë dita e vetme që thërret në ndërgjegje.

Në mesin e pjesëmarrësve ishin edhe disa nga asambleistë të Komunës së Prizrenit së bashku me kryesuesin e tyre, një deputete e drejtor të drejtorive të ndryshme të komunës si dhe një numër i konsiderueshëm i organizatave jo-qeveritare e qytetarëve të cilët iu përgjigjen ftesës për marsh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat