Beteja e Jeshkovës një ndër epopetë më madhështore në historinë e kombit

Prizreni

Beteja e Jeshkovës një ndër epopetë më madhështore në historinë e kombit

Më: 11 mars 2019 Në ora: 14:28
Akademia është organizuar nën patronatin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi

Në nderim të 20 vjetorit të Betejës së Jeshkovës dhe rënies së 21 dëshmorëve të kombit, në Prizren është mbajtur akademi përkujtimore, ku është thënë se kjo betejë do të ngel një ndër epopetë më madhështore të historisë së kombit.

Duke qenë se akademia është organizuar nën patronatin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, kurse homazhe janë zhvilluar nga Komuna e Prizrenit, pakënaqësi për këtë ndarje ka shprehur veterani dhe pjesëmarrësi në këtë betejë Baki Latifi.

Latifi është shprehur se është turp që po i ndajnë dëshmorët, teksa ka bërë thirrje që politika të largojë duart nga politika.

Latifi: Politika larg dëshmorëve

"Ju familjarë asnjëherë mos e mbani kokën ulur, sepse keni pasur çka t'i jepni këtij vendi... Ju bëjë apel të gjithëve strukturave politike, sa më larg duart nga dëshmorët, dëshmorët janë të vendit mos luani me gjakun e dëshmorëve. Nëse doni matuni me vota janë zgjedhjet, bëni çka të doni, mirëpo në ditët dhe në datat historike, sidomos të kësaj beteje të lavdishme ku djemtë më të mirë ranë sot mbahen dy nderime. Është turp, turpi le të mbet mbi ta që i ndajten dëshmorët", tha ai.

Në anën tjetër, ministri i Kulturës Kujtim Gashi, tha se Beteja e Jeshkovës dhe rënia e dëshmorëve të kombit 20 vjet pas, e forcojnë ndjenjën, shpirtin e atdhetarisë shqiptare për rolin kombëtar dhe historik të luftës së UÇK-së.

Gashi tha se historia do të shkruaj se dalja dhe lufta çlirimtare e UÇK-së dhe beteja e Jeshkovës, shënoi kthesën më të madhe të historisë së kombit.

Gashi: Beteja e Jeshkovës një ndër epopetë më madhështore të historisë e kombit

"Beteja e Jeshkovës dhe rënia heroike e 21 dëshmorëve të kombit, ishte dhe do të ngel një ndër epopetë më madhështore të historisë së lavdishme të kombit tonë, të heroizmit liridashës, të Vërrinit, edhe kësaj pike të gjakut në gjeografinë e hartave të atdheut tonë . Prandaj, edhe sot në këtë 20 vjetor të krenarisë së përmotshme të Betejës së Jeshkovës, të rënies së 21 dëshmorë dhe martirëve, me plot krenari themi se, djemtë dhe vajzat edhe të Brigadës 125 të UÇK-së, pra, 21 dëshmorët e rënë në atë betejë, ishin luftëtarë të dritës së lirisë. Ata, vepra e të cilëve, prore do të jetë frymëzim dhe krenari, e përjetësuan  betimin e të parëve, e bën realitet idealin e çdo epoke të lëvizjes sonë kombëtare, çlirimin e trojeve tona etnike, çlirimin e Kosovës", tha ministri.

Ministri Gashi u shpreh se pa luftën heroike edhe të njësisë speciale të brigadës 125 nuk do të kishte krijim të aleancës ushtarake dhe diplomatike të UÇK me NATO-n dhe SHBA-të, nuk do të ngrihej Bondstilli dhe se nuk do të kishte shpallje të shtetit të pavarur të Kosovës. Aq më pak, Gashi tha se nuk do të mund të ishin sot në rrugën e sigurt drejt integrimeve veri-atlantike dhe mbi të gjitha drejt anëtarësimit të ushtrisë së Kosovës në NATO.

Ndërkaq, sekretari i shoqatës së veteranëve Isa Berisha, tha se po përkujtohet një ndër betejat më të lavdishme të UÇK-së.

Berisha: Nuk kishim armatim të rënd por kishim moralin

"Në këtë betejë të lavdishme ranë shumë dëshmorë dhe kjo ishte edhe një goditje e rëndë për UÇK-në, sepse një pjesë e njësitit special të brigadës 125 bien për të mos vdekur kurrë. Të përkujtosh këtë betejë të lavdishme dhe të kthesh në memorie pas 20 vitesh do të thotë që të rrëqethet trupi, sepse ushtria jonë e lavdishme nuk posedonte ndonjë armatim të rëndë ashtu siç ishte e pajisur paramilitarët dhe ushtria serbe, por te ne ishte morali dhe ndjenja e një luftëtari të devotshëm dhe qëllimi ishte dhe ishin në gjendje të japin jetën për liri", u shpreh ai.

Ai tha se morali dhe qëllimi i ushtarëve ishte që një herë e përgjithmonë të çlirohen nga Serbia. 

Duke iu drejtuar familjeve të dëshmorëve, Berisha u tha që të jenë krenar se bijtë e tyre ranë për të mos vdekur kurrë dhe që sot të gëzohet liria.

Ndërkaq, kryetari i fshatit Jeshkovë, Xheladin Krasniqi, ka treguar një histori për këtë fshat.

Krasniqi: Jeshkova ka qenë një fole e trimave

"Jeshkova një fshat i vogël në rajonin e Vërrinit komuna e Prizrenit, një fshat mikpritës dhe shumë bujarë historikisht ka qenë një fole e trimave të cilët luftuan për lirinë e atdheut. Kështu që, edhe në luftën e fundit ky fshat ishte vend ku shumë luftëtarë jeshkovën e kishin si vendlindjen e tyre të dytë", u shpreh ai.

Përndryshe, gjatë ditës janë bërë edhe homazhe në fshatin Jeshkovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat