“Ec Ma Ndryshe”: Po vazhdon rrënimi i ndërtesave me vlerë në Prizren

Prizreni

“Ec Ma Ndryshe”: Po vazhdon rrënimi i ndërtesave me vlerë në Prizren

Më: 12 qershor 2019 Në ora: 07:28
Prizren

Organizata “Ec Ma Ndryshe” përmes një komunikate për media thotë se Qendra Historike e Prizrenit (QHP) ende është duke vuajtur nga rrënimet pa leje e të (pa)qëllimshme të ndërtesave me vlerë të trashëgimisë kulturore.

Tutje thuhet se rasti i fundit është ndërtesa në rrugën ‘Berati’ ku vërehet rrënimi i gati gjysmës së ndërtesës, rrënime në enterier dhe muret e prapme të ndërtesës.

“Ky rrënim bëhet më shqetësues për faktin se kjo ndërtesë është pjesë përbërëse e projektit ‘Revitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti’ në Qendrën Historike të Prizrenit i hartuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe EC Ma Ndryshe, përderisa është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada Britanike në Prishtinë dhe është mbështetur nga Komuna e Prizrenit”, thuhet në komunikatë.

Javë më parë, ministri i kulturës Kujtim Gashi ka theksuar se rruga “Marin Barleti” në Prizren do të revitalizohet dhe do të investohen mbi 2 milionë euro.

“Projekti “Revitalizimi dhe Integrimi Socio-Ekonomik i komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti në Prizren” është një projekt ambicioz dhe tepër i rëndësishëm për qytetin e Prizrenit, pasi që ngërthen në vete trajtimin e 14 ndërtesave të banimit të cilat fatkeqësisht nuk janë në gjendjen e dëshirueshme. Edhe përkundër faktit që zbatimi i këtij projekti paraqet një ngarkesë buxhetore për MKRS-së, ai do të zbatohet në përpikëri, në respektim të standardeve të larta profesionale dhe në zbatim të legjislacionit në fuqi” është shprehur Gashi.

EC Ma Ndryshe apelon tek MKRS-ja dhe Komuna e Prizrenit, gjegjësisht inspektoratet përgjegjëse të këtyre dy institucioneve të dalin në terren dhe të evidentojnë këto rrënime dhe të marrin masa adekuate konform ligjeve në fuqi rreth këtij fenomeni të shkatërrimit të ngadalshëm e të (pa)qëllimshëm të ndërtesave pasi humbja e vlerave të trashëgimisë kulturore është proces i pakthyeshëm.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat