Policia në Prizren gjobit 26 persona për ngasje nën ndikim të alkoolit

Prizreni

Policia në Prizren gjobit 26 persona për ngasje nën ndikim të alkoolit

Më: 31 korrik 2019 Në ora: 08:41
Foto

Policia rajonale e Prizrenit ka njoftuar se gjatë javës së kaluar ka zbatuar planin operativ të titulluar "Vozitja e automjeteve nën ndikim të alkoolit", që ka rezultuar me gjobitjen e 26 personave, sikurse edhe me zbatimin e masave mbrojtëse me 6 muaj ndalesë ngasje dhe me konfiskim të patentë shoferit. Sipas zyrtarëve policorë, këto gjoba janë shqiptuar ndaj 13 shtetasve të Kosovës dhe 13 personave me dokumente të huaja.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Shaban Osmanollaj, ka bërë të ditur se Drejtoria Rajonale në Prizren, përkatësisht Njësia e komunikacionit rrugor, në kuadër të aktivitetit dhe planit vjetor, nga data 22 korrik deri më 28 korrik 2019, ka realizuar planin operativ "Vozitja e automjeteve nën ndikim të alkoolit", dhe se gjatë kësaj periudhe ka ngritur gjithsej 18 pika kontrolli në rajonin e Prizrenit.

“Janë ndaluar gjithsej 267 automjete, janë kontrolluar 237 persona, ku nga këta persona 63 persona kanë rezultuar nën masën 0.50 promila, ndërsa 26 persona me ndikim të alkoolit mbi 0.50 promila.

Në zbatim të Ligjit të komunikacionit rrugor ndaj 26 personave është shqiptuar gjobë dhe masa mbrojtëse 6 muaj ndalesë vozitje dhe konfiskim i patentë shoferit. Me dokumentacion të Kosovës gjoba mbrojtëse janë shqiptuar për 13 shtetas të Kosovës, ndërsa janë shqiptuar masa mbrojtëse edhe për 13 persona me dokumente të huaja”, ka thënë Osmanollaj.

Ai ka theksuar se Drejtoria Rajonale në Prizren do të vazhdojë edhe në të ardhmen me plane operative për dukurinë e ngasjes së automjeteve nën ndikimin e alkoolit me qëllim parandalimin e kundërvajtjeve në komunikacion dhe evitimin e aksidenteve të trafikut me pasoja lëndimi dhe me fatalitet.

“Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion të jenë të kujdesshëm, të respektojnë rregullat e trafikut dhe të përqendrohen në ngasje të sigurt”, ka përfunduar Osmanollaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat