“E kam vrarë gruan” – pasi kreu krimin Bajram Veliaj i telefonoi vetë vëllait dhe policisë

Prizreni

“E kam vrarë gruan” – pasi kreu krimin Bajram Veliaj i telefonoi vetë vëllait dhe policisë

Më: 7 gusht 2019 Në ora: 15:58
Bajram dhe Armenda Veliaj

E pritën me qejf muajin gusht për të ardhur në vendlindje. Erdhën të lumtur si krejt bashkatdhetarët e tjerë. Çifti Velija morën rrugë nga Zvicra për në Prizren gjatë muajit korrik. Një javë kaloi e qetë, derisa pushimi i tyre mori një kahe krejt tjetër, tragjike.

Një zënkë e ashpër në mes Bajramit dhe Armendës, shkoi aq larg sa askush nuk e priste. Bashkëshorti zgjodhi rrugën më të tmerrshme për ta ndaluar debatin me gruan e tij, atë të vrasjes. Me 15 plumba Bajram Velija shtiu mbi gruan Armenda Aliun – Veliajn me të cilën ishte i martuar që disa vite.

Express sot gjatë gjithë ditës ka qëndruar në Prizren. Aty ku ka biseduar me familjarët e Bajramit që dyshohet se vrau gruan, me fqinjët si dhe me prokurorinë e Prizrenit.

Familja e të dyshuarit: Jemi të shokuar, nuk e dimë se çka ka ndodhur. Gruaja e tij ka qenë shumë e mirë

Të shokuar nga e gjithë kjo ngjarje e rëndë janë dy vëllezërit e Bajramit. Njëri nga ta ka treguar se mbrëmë vëllai i tij e kishte thirrur atë në telefon. “E kam vra gruan”, tregon ai se i kishte thënë.

“Kurrë nuk e kisha mëndu që ka ndodhë kjo. Ne nuk jemi familje kriminele. Ka ndodhë ajo. Vllai mbrëmë më ka thirrur, më tha kështu. E vrava gruan. Unë nuk besoja. Thash nuk ka shanse me ndodhë”, tregon vëllai i të dyshuarit për vrasje.

Ai thotë se tashmë e ndjera në momentin kritik kishte qenë duke hipur në taksi. Njëri nga vëllezërit tregon se çifti mund të ketë pasur disa telashe me njëri-tjetrin.

“Ajo ka qenë duke hipur në taksti, edhe ka ndodhë. Ata kanë jetuar bashkë në Zvicër. Telashe familjare ka pasur. Rasti është nën hetime. Që vjen puna deri në këtë shkallë kurrë nuk e kisha besu”, rrëfen vëllai i Bajramit.

Ndërkohë njëri nga fqinjët e të dyshuarit ka thënë se Bajram Velija, kohëve të fundit kishte shfaqur shenja agresiviteti.

“Unë kam pas raporte të mira me të dyshuarin. Ky me fol shpirtnisht nuk ka qenë shumë i rehatshëm. E ka lëshuar gruan e tij, ajo është në Zvicër me dy fëmijë. Ka qenë më një grua tjetër. Tash është me një grua tjetër, nga Prishtina. Kjo që po dyshohet se e ka vrarë. Ajo grua ka qenë e mirë. Shpirt mirë. Ky u kanë çu peshë, për mexhë më ishte kapur njëherë”, ka thënë njëri nga fqinjët.

Prokuroria kërkon një muaj paraburgim, thotë se i dyshuari ka heshtur

Por, mbrëmë pak pas orës 23:00, Bajram Velija pasi që kishte kryer krimin e rëndë, kishte telefonuar policinë. Edhe atyre, njëjtë si vëllait, u kishte thënë se e ka vrarë gruan e tij.

Por gjatë ditës së sotme para trupit hetues, 61-vjecari nuk kishte dashur që të deklarohet. Ai kishte zgjedhur që të mbrohet në heshtje. Prokurorja e rastit, t, Ervehe Gashi, ka thënë se i dyshuari nuk ka dashur që të jap deklaratë. Si ka zgjedhur që të mbrohet në heshtje.

“I dyshuari është mbrojtur në heshtje. Ne si prokurori në bazë të fakteve dhe provave do të kërkojmë një muaj paraburgim për të”, ka deklaruar Gashi.

Ndërkohë sipas prokurorisë, në vendin janë gjetur, pistoleta, dy karikatorë si dhe 15 gëzhoja të kalibrit 9 mm me të cilët dyshohet të jetë kryer vepra. Po ashtu, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, policia ka bastisur edhe shtëpinë e të dyshuarit, ku gjatë bastisjes janë sekuestruar:

Një pistoletë me nr. serik T0620 – 15k00074; – Dy karikatorë; si dhe  42 fishekë të pistoletës.

Me urdhër të prokurorit kujdestar të Departamentit të Krimeve të Rënda, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa, gjatë ditës pritet që në Gjykatë të dorëzohet edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Sipas Prokurorisë , pas verifikimeve të bëra në databazën e Prokurorisë, të njëjtit nuk kanë pasur ndonjë rast të paraqitur apo të raportuar për dhunë në familje apo rast të ngjashëm. 

E ndjera, Armenda, kishte disa vite që po jetonte në Zvicër me Bajram Velijajn. Asaj vite më parë i kishte vdekur bashkëshorti me të cilin ka dy vajza.

Ndërkohë i dyshuari për vrasjen e saj-bashkëshorti, Bajram Velija kishte qenë i ndarë bashkëshortja e tij e parë. Me të kishte pasur fëmijë.

Vrasjet e grave që tronditën e Kosovën

Pikërisht sot një vit, Kosova u trondit nga një vrasje e dyfishtë që ndodhi në Gjakovë kur Pjetër Nrecaj, që tash po vuan dënim me burg të përjetshëm, vrau gruan e tij dhe vajzën e tij 9-vjeçare.

2019-ta ka shënuar edhe vrasjen e parë, kjo në Gjilan, kur burri do të vriste, pak pas orës 00:00, gruan e tij me armë zjarri. Policia pati bërë të ditur se rasti kishte ndodhur derisa në këtë familje po festohej me armë zjarri.

Pak muaj më vonë, saktësisht më 22 prill të këtij viti, ndodhi një vrasje e dyfishtë.

Në lagjen “Dardania” në Prishtinë, Hasan Krasniqi, do të kryente një vrasje të tmerrshme duke lënë të vdekur në banesën e tij gruan Hysnije Krasniqi dhe gruan e djalit, Remzie Kamberin.

Dorasi pasi la dy viktima, do t’i jepte fund edhe jetës së tij. Media kishte sjellë rrëfimet e të tri familjeve për këtë ngjarje të kobshme.

Mbrëmë, ndërkaq, u shënua edhe vrasja e katër, në Prizren.

Vetëm gjatë vitit 2018, në Kosovë janë vrarë gjashtë gra brenda familjes, ndërsa janë raportuar mbi 1 mijë raste dhune të shumëfishtë ndaj tyre.

Në vitin 2017, viktima të gjinisë femërore kanë qenë gjithsej 4. Organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave në vend thonë se dënimet ndaj atyre që kryejnë vrasje janë shumë të ulëta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat