Partitë garojnë me 11 gra në Prizren, dërgojnë pesë burra në debat - Bota Sot
Partitë garojnë me 11 gra në Prizren, dërgojnë pesë burra në debat

Prizreni

Partitë garojnë me 11 gra në Prizren, dërgojnë pesë burra në debat

Më: 21 shtator 2019 Në ora: 21:20
Partitë garojnë me 11 gra në Prizren

Partitë politike nga Prizreni në listat e tyre kanë 11 gra që kandidojnë për përfaqësim në parlament, por me sa duket kanë nguruar që ato t’i vendosin si përfaqësuese në debate.

E për këtë, janë arsyetuar të gjithë kandidatët.

Të pyetur se pse asnjë grua nuk përfaqësohet, të gjithë ata kanë gjetur arsye.

Lulzim Kabashi nga AAK ka premtuar se në emisionet e ardhshme gratë sigurisht që do të vinë.

“Do të vinë në emisionet e ardhshme sigurisht, besoj që ato do të na përfaqësojnë denjësisht” tha Kabashi.

Ndërsa kandidati i PDK’së, Shaqir Totaj, tha se e ka kontaktuar kandidaten Veselaj-Gutaj por për shkak të agjendës së sa të ngjeshur dhe të ngarkuar ajo nuk ka mundur të jetë në këtë debat.

E Zafir Berisha nga NISMA ka thënë se partia atij i ka thënë që në këtë debat do të marrin pjesë kryetarët e degës, duke shtuar se në emisionet e radhës NISMA nga Prizreni do të përfaqësohet nga një grua.

Xhavit Ukaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se gratë e partisë së tij nuk kanë mundur të jenë në këtë debat për shkak se Vjosa Osmani gjendet për vizitë në Prizren.

“Kanë shprehë dëshirë që të vinë por në ora 20:00 Vjosa Osmani është në Prizren dhe e kanë parë më të arsyeshme me qenë pranë zonjës Osmani” tha Ukaj.

Ndërsa kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë se po ta dinte se në këtë debat nuk do të kishte asnjë grua, ai do të vepronte ndryshe.

“Nuk e kam menduar se nuk do të ketë gra. Kolegët e kanë menduar se unë do t’i përfaqësoja mirë, por sikur ta dija do të kishim dërguar gra që janë vërtetë profesionale” tha Rexhaj.

Por cilat janë gratë që garojnë nga kjo komunë?

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në listë garon Sadije Osaj-Jakupi dhe Hyrë Tejeci.

Ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila edhe e udhëheq këtë komunë, garon Drita Millaku, Dafina Alishani dhe Yllza Hoti.

Nga Partia Demokratike e Kosovës garon Luljeta Veselaj – Gutaj, Urata Tahiri dhe Ymran Fusha

Nga koalicioni AAK-PSD garon Ramize Sinanaj-Shala ndërsa koalicioni nga NISMA-AKR garon Albulena Balaj-Halimaj dhe Arbana Hajdari.

Sonte në Pressing flasin Lulzim Kabashi nga koalicioni AAK-PSD, Xhavit Ukaj i LDK’së, Shaqir Totaj i PDK’së, Zafir Berisha i NISMA-AKR dhe Arbër Rexhaj i Vetëvendosjes.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...