AAK-PSD prezantojnë në Prizren pesë zotimet e tyrePrishtinë - Bota Sot
AAK-PSD prezantojnë në Prizren pesë zotimet e tyrePrishtinë

Prizreni

AAK-PSD prezantojnë në Prizren pesë zotimet e tyrePrishtinë

Më: 2 tetor 2019 Në ora: 21:27
AAK-PSD në Prizren

Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj, në tubimin elektoral me qytetarë në Prizren, u bëri thirrje atyre që t’i besojnë këtij koalicioni, pasi sipas tij janë të vetmit që e kanë kthyer besimin në shtetin e Kosovës.

Haradinaj tha se vetëm koalicioni AAK-PSD mund t’i kryejë punët e Prizrenit, siç i kanë kryer punët e Kosovës.

Haradinaj: Ne mundemi me i krye punët e Prizrenit

“Unë e kam një rregull, nuk i shti duart as nuk ndërhyjë asnjëherë në rendet e një vendi, në vlerat e atij vendi. Çka po dua të them me këtë, Prizreni është i prizrenasve, Prizreni është i qytetarëve të Prizrenit, nuk kam ardhur asnjëherë me kërkua ose me marrë diçka. Por, kam ardhur me u marr vesh çka me bë në Prizren, kërkojë prej juve edhe pse në raste të caktuara ju kanë zhgënjyer, mos e humbni besimin, ne e kemi kthyer besimin në vend për temat më të zorshme të mujshme që i ka pasur Kosova, për të drejtën me u mbrojt. E kemi mbrojt Kosovën nga ndarja, e kemi kthyer të drejtën në Trepçë”, tha ai.

Haradinaj ka premtuar se gjatë qeverisjes së tij, çdo vit do të ketë rritje të pnagave prej 10 përqind.

Në Prizren ai ka folur edhe për sloganin e PDK-së për luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit, ku tha se nuk mund ta bëjnë këtë njerëzit që e kanë instaluar këtë dukuri.

Haradinaj: Unë i shoh kolegët e mi të PDK-së

“Unë i shoh kolegët e mi të PDK-së nga panika se po dalin në opozitë, do të thotë i ka kapur një vormak i madh. E para e keni pa sa paranë po e harxhojnë në fushatë, besoj keni dëgjuar edhe ju sa paraja u lëshua në terren, me mundësi që me e ndryshua gjendjen, me ndryshua mendjen, bindjen... Unë kam disa kritere, pranoj me thënë shumëçka, po me të rrejt bash ndër sy nuk mundem”, tha ai.

Ai ka folur edhe për LDK-në, ku tha se atyre nuk duhet t’i besohet kur thonë se e ç’kapin shtetin, pasi sipas tij ata nuk munden. Sa i përket LVV-së, ai tha se kjo parti udhëheqë me Prizrenin, por që vendimet për drejtoritë e kësaj komune merren në Prishtinë, kjo sipas tij nuk është e mirë.

Haradinaj ka përmendur disa nga projektet që kanë filluar në Komunën e Prizrenit gjatë kohës sa ka udhëhequr me qeverinë e Kosovës, ndërkohë që ka përmendur edhe disa projekte që premtojë se do t’i bëjnë nëse marrin besimin e qytetarëve.

Kryetari i PSD-së Shpend Ahmeti, në Prizren ka prezantuar 5 zotimet e koalicionit, ku ndër zotimet ishte edhe mos heqja e taksës ndaj Serbisë.

Ahmeti: 100 përqind taksë

“Koalicioni jonë AAK-PSD i ka 5 zotime të cilat do t’i përmendi sonte. Zotimi i parë, 100 përqind shtet dhe territor, nuk e japim as një pëllëmbë të Kosovës as për njohje e as për me i hi në qejf Serbisë. Zotimi jonë i dytë, 100 përqind siguri sociale, paga minimale me koalicionin AAK-PSD do të jetë 250 euro, askush nuk do ta ketë pagën më pak se 250 euro. Zotimi i tretë, është 100 përqind taksë, nuk do ta heqim taksën ndaj Serbisë derisa ta ndalin politikën agresive që e kanë ndaj Kosovës. Zotimi jonë i katërt, 100 përqind shëndetësi, asnjë qytetar i Kosovës nuk do të ketë nevojë të paguajë nga xhepi i tij për kujdesin mjekësor në Kosovë. Zotimi jonë i pestë është 100 përqind zhvillim, do të kemi fondin zhvillimor për të ndihmuar ndërmarrjet e mesme dhe të vogla që e zëvendësojnë importin dhe na ndihmojnë për të shitur produkte të Kosovës edhe jashtë Kosovës”, tha Ahmeti.

Ahmeti prizrenasve u ka bërë thirrje që mos ta lënë Kosovën në duart e, siç ka thënë ai, frikacakëve, hajnave dhe atyre që nuk guxojnë të marrin vendime.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...