Bizneset delegojnë shqetësimet te kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka - Bota Sot
Bizneset delegojnë shqetësimet te kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka

Prizreni

Bizneset delegojnë shqetësimet te kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka

Më: 31 tetor 2019 Në ora: 12:25
Foto nga takimi

Rritja e taksave komunale, qendra e inovacionit, krijimi i komitetit për zhvillim ekonomik, mos funksionalizimi i Zonës Ekonomike dhe kriteret për të qenë pjesë e saj, ishin ndër çështjet kryesore të diskutuara në takimin e përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) me kryetarin e Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka.

Kryetari i bordit të OAK-ut Skënder Krasniqi tha se ky takim u kërkua pasi që bizneset e konsideruan si të nevojshëm diskutimin për sfidat me të cilat ata po përballen me Komunën gjatë organizimit “Kafja e Mëngjesit” në Prizren që OAK është duke i mbajtur në komuna.

Pronari i biznesit “Nutriwell” Bujar Bilurdagi kërkoi nga kryetari Haskuka që të themelohet një komitet për zhvillim ekonomik, pasi që është e nevojshme dhe do të ndihmonte bizneset e reja që të fokusohen në sektorët për të cilët komuna ka nevojë më shumë.

Ai shtoi që një nga problemet kryesore me të cilat bizneset po përballen është edhe mungesa e kuadrit profesional, gjë e cila po i vështirëson punët për bizneset.

Dashmir Badallaj, pronar i biznesit “Badallaj.5” SH.P.K. u fokusua te ndryshimi i taksave komunale që parashihet të ndodhë nga viti 2020, duke theksuar që një ndryshim i tillë enorm do të ndikojë negativisht te bizneset e kësaj komune, andaj edhe u kërkua që kryetari Haskukaj të ndërmarrë masa që janë në kompetencë të tij.

Tafil Kalimashi, pronar i “Kosova Pack” SH.P.K. kërkoi që bizneset të informohen paraprakisht për kriteret që kërkohen të plotësohen nga bizneset për të qenë pjesë e Zonës Ekonomike. Ndërsa, Edin Gashi pronar i “Dallas” SH.P.K. shtoi që infrastruktura që ka Zona Ekonomike është ndër arsyet kryesore pse bizneset janë të interesuara për të qenë pjesë e saj.

Ndërsa, Bafti Ismajli nga gurthyesi “Fitimi Commerce” theksoi problemet e bizneseve të sektorit minerar dhe vështirësitë që po hasin gjatë operimit.

Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka shtoi që Rregullorja për taksa është filluar nga Qeveria e kaluar dhe se janë bërë shumë ndryshime nga drafti fillestar, ndërsa ajo pritet të hy në funksion nga 01 janar 2020. Tutje ai shtoi që një nga problemet kryesore që po e hasin si Komunë është reagimi i bizneseve ndaj vendimeve të ndryshme që ata po marrin, vetëm pas miratimit.

Zona Ekonomike është duke u përfunduar, mirëpo për ta lëshuar në funksion fillimisht duhet të merren disa pëlqime nga Ministritë, e për të cilën fillimisht duhet të pritet krijimi i Qeverisë së re, ndërsa kriteret për të qenë pjesë e saj janë të parapara nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Gjithashtu gjatë këtij takimi u diskutua edhe qendra e inovacionit, ku përfaqësuesit e Komunës theksuan që do të kenë përparësi bizneset për inovacion dhe teknologji si dhe industritë e lehta, por që ende nuk është e finalizuar.

Kryetari Haskuka tha se Komuna e Prizrenit është e interesuar që të bëjë një strategji për zhvillim ekonomik dhe të bashkëpunojë me komunitetin e biznesit, teksa shtoi se me kuadrin profesional mund të arrihet lehtë një zgjidhje dhe mjafton që bizneset t’i informojnë për profesionet që iu nevojiten, pastaj të krijohen propozime për kurrikula në drejtime në shkollat profesionale.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat