Vrasja e çiftit në Prizren, zbulohet arsyeja e krimit nga djali i tyre - Bota Sot
Vrasja e çiftit në Prizren, zbulohet arsyeja e krimit nga djali i tyre

Prizreni

Vrasja e çiftit në Prizren, zbulohet arsyeja e krimit nga djali i tyre

Më: 12 shkurt 2020 Në ora: 14:16
Suada dhe Durim Hadri

Para rreth 10 viteve çifti Durim e Suada Hadri kishin blerë një shtëpi dykatëshe në Ortakoll të Prizrenit. Ndonëse kishin pasaporta suedeze, ata kishin vendosur që vitet e pleqërisë t’i kalonin në vendlindje. Kohë pas kohe në Prizren i vinin për vizitë tre fëmijët, dy djemtë dhe vajza. Por njëri nga ta, Adriatiku ishte më misterioz.  Gjithmonë kur vinte në Kosovë, ai qëndronte i mbyllur në shtëpi. Nuk dilte as në ballkon. Çifti për sjelljet e tij, arsyetohej tek fqinjët se është i sëmurë. E pikërisht Adriatiku 35-vjeçar po kërkohet për vrasjen e prindërve të tij, që dyshohet se e kreu për motive pronësore.

Një fotografi me një mesazh se dy persona kanë ndërruar jetë qëndron e varur në rrethojat  e shtëpisë dykatëshe në lagjen e Ortakollëve në Prizren. Dyert e kësaj shtëpie janë të mbyllura, po ashtu edhe roletat e dritareve të saja të gjitha janë të ulura poshtë duke u dhënë kështu të kuptohet se aty nuk jeton askush.

Shtëpia ku ndodhi vrasja e çiftit nga Prizreni-Lagjia e Ortakollëve

Në oborrin e kësaj shtëpie në Prizren gjendet edhe një veturë e cila është e gjitha e mbështjellë me një mbulesë. Ajo i takonte çiftit Hadri, Suadës dhe Durimit njëri 55 e tjetri 64 vjeçar të cilët kishin kohë që nga Suedia kishin ardhur për të jetuar në Kosovë.

Por fundi i këtij çifti ishte tragjik. Ata u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre në mëngjesin e 22 janarit të këtij viti. I dyshuari kryesor për vrasjen po cilësohet djali I tyre, Adriatiku-35-vjecar.

Familja e jep lajmin mortor, tek përkujtimi nuk shkruhet emri djalit që dyshohet për vrasjen çifit

Çifti kishte tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Dy nga ta ishin të martuar, ndërkohë tjetri, Adriatiku 35-vjeçar ishte i pamartuar. Çifti ndërrimin e moteve e kishin kaluar në Suedi, tek fëmijët.

Por me tu kthyer në Kosovë, mes tyre dhe djalit, nisën problemet.

Media gjatë së martës ka qëndruar tek shtëpia ku u gjetën të vrarë Suada dhe Durimi. Fqinjët i përshkruajnë ata si persona të qetë dhe gazmor.

“Nuk kemi ndi as krismë e as kurgjo. Krejt familjen e kanë jashtë. Na me ta kemi pi çaj, kafe, për neve gjithmonë kanë qenë të mirë. Nuk kanë folur asnjëherë për ndonjë problem”, thotë njëri nga fqinjët e çiftit.

Ata thonë se dy fëmijët e tjerë të çiftit i kanë parë, por Adriatikun i cili dyshohet se i vrau ata, thonë se asnjëherë nuk e kanë parë.

“Ai djali edhe kur ka ardhë, ne kurrë s’e kemi pa as nuk e kemi njoftë as kurrgjo. Rrike brenda, nuk dilte aq. Prindërit e tij thonin është pak i sëmurë. Këta i kanë tre fëmijë. Djali e cika tjetër janë atje punojnë atje rregullisht. Këta vinin herë këtu e herë atje. E kanë blerë këtë shtëpinë afër nesh. Pinim kafe shpesh me zonjën e ndjerë”, sqarojnë fqinjët.

E çifti i ndjerë, planet për të qëndruar në vendlindje i kishin te mëdha. Për këtë punë kishin bërë edhe investime në biznes duke blerë kështu një tokë për parkingje në qendër të Prizrenit e dy banesa.

E pikërisht prona dyshohet të jetë shkaktari i këtij veprimi që e kreu 35-vjecari. Por i dyshuari kryesor për këtë vepër, djali i çiftit ende nuk është kapur nga Policia.

“Ai nuk është marrë me punë të mira. Babi i tij ka qenë milioner. E kanë blerë një parking në qendër të Prizrenit. Po thonë se për pronë janë kapur”, deklarojnë fqinjët.

Po rreth këtyre deklaratave nuk është përgjigjur Prokuroria Themelore e Prizrenit. Ata nuk u janë përgjigjur thirrjeve të martën.

Ndërkohë në një përgjigje me shkrim nga Prokuroria janë deklaruar se rasti në fjalë është ende në fazën e hetimeve, e se janë duke grumbulluar informacionet e nevojshme.

“Prokuroria Themelore në Prizren, ju njofton se lidhur me rastin e vrasjes së ndodhur me datë 22.01.2020 në lagjen “Ortakoll” në Prizren, Prokuroria është akoma në fazën e hetimit dhe grumbullimit të informacioneve të nevojshme, për zbardhjen e plotë të rastit”, ka deklaruar për Express, Fitore Mehmeti zëdhënëse për informim në Prokurorinë e Prizrenit.

Organet e rendit kishin deklaruar se dyshohet se A.H, mund të ketë kaluar kufirin me Maqedoninë e Veriut për të shkuar pastaj në Greqi. Deri më tani nuk kanë informacione të reja për vendndodhjen e tij.  Ndërkohë në rast tashmë për hetime janë përfshirë edhe autoritet suedeze.

Ata u qëlluan për vdekje në shtëpinë e tyre në Ortakoll të Prizrenit. Sipas policisë, afër trupave të tyre ishin gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me pesë fishekë, një kuti me 49 fishekë dhe dy gëzhoja.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat