Haskuka uron Fitër Bajramin: Të respektohen rekomandimet për mos vizita

Prizreni

Haskuka uron Fitër Bajramin: Të respektohen rekomandimet për mos vizita

Më: 24 maj 2020 Në ora: 00:05
Mytaher Haskuka

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë të ditur se sot atje janë kryer 133 teste për Covid-19, ku vetëm 3 prej tyre dolën pozitivë.

“Dje kemi pasë lajme mjaftë shqetësuese me numrin e personave të prekur që ishte 19. Sot kemi kryer 133 teste që ishin hulumtim i rasteve të kontakteve me këta persona që dolën pozitiv dje, prej të cilëve vetëm 3 dolën pozitiv”.

“Akoma është duke vazhduar të bëhet gjurmimi i të gjithë personave që kanë pasë kontakt me të prekur me Covid-19. Në komunë tonë ditëve në vijim do të kryhen shumë teste”.

“Deri tani që nga shfaqja e pandemisë kemi pasë 123 raste pozitivë, 67 të shëruar, 2 te vdekur dhe vetëm 54 raste i kemi aktive”.

Haskuka  ka uruar të gjithë besimtarëve myslimanë festën e Fitër Bajramit që është nesër, dhe bëri thirrje që të respektohen masat e vendosura nga IKSHPK-ja dhe MSH-ja.

“Nesër e kemi ditën e parë të festës së Fitër Bajramit, duke e ditur traditën tonë që dalim për urime, këtë herë duhet të respektoni masat e vendosura nga institucionet për parandalimin e përhapjes së koronavirusit”.

“Kështu qëndroni në shtëpi, respektoni orarin e lëvizjes që është tani me anë të numrit të fundit të letërnjoftimit. Nëse dilni vendosni maska dhe doreza paso rreziku akoma nuk ka kaluar”, ka thënë Haskuka në një konferencë për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat