​Islamaj akuzon Haskukën se po injoron kontratën kolektive

Prizreni

​Islamaj akuzon Haskukën se po injoron kontratën kolektive

Më: 13 qershor 2020 Në ora: 13:38
Visar Islamaj

Sekretari i përgjithshëm i degës së PDK-së në Prizren, Visar Islamaj ka akuzuar kryetarin e Prizrenit, Mytaher Haskuka, se ka injoruar kontratën kolektive të nënshkruar nga Organizata për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Arsimit dhe MASHT-it, e ku parashihen të drejtat, detyrimet dhe benifitet për punëtorët e arsimit, disa prej të cilave janë: paga jubilare, e drejta për ushqim, kompenzimi për udhëtimin etj.

Sipas tij, injorancë dhe neglizhencë që po iu bëhet punëtorëve të arsimit po dëshmohet edhe njëherë paaftësia e Haskukës për të qeverisur qytetin, njëkohësisht po vërtetohet se është PDK-ja ajo e cila ka trajtuar dinjitetshëm kategorinë e shenjtë të shoqërisë, siç janë mësimdhënësit e shumëpërvuajtur.

Komenti i plotë i Visar Islamajt në Facebook:

Arsimi është një ndër shtyllat kryesore të shtetit, kurse mësimdhënësit janë gurthemeli i shoqërisë.

Të gjithë krenohemi me solidaritetin dhe përkushtimin e tyre për ta mbajtur gjallë arsimin në kohën më të vështirë në të cilën kaloi populli dhe vendi ynë. Siç dihet, mësimi zhvillohej nëpër shtëpitë-shkolla, sipas organizimit paralel, me shumë peripeci e në kushte jashtëzakonisht të vështira ekonomike e politike, duke kundërshtuar nënshtrimin ndaj politikës së Beogradit dhe duke mos llogaritur asnjëherë për kompenzimin e punës së tyre.

Por, këtë krenari nuk e ka edhe Mytaher Haskuka, i cili injoroi Kontratën Kolegtive të nënshkruar nga Organizata për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Arsimit dhe MASHT-it, e ku parashihen të drejtat, detyrimet dhe benifitet për punëtorët e arsimit, disa prej të cilave janë: paga jubilare, e drejta për ushqim, kompenzimi për udhëtimin etj. Sëkëndejmi, Myta gjatë fushatës premtoi kushte më të favorshme se qeverisja e kaluar e drejtuar nga PDK-ja, ndërkaq, për asnjë çast nuk u ndalë të mendonte për të drejtat e tyre, përkundrazi, më shumë u përkujdes të ushtronte kontroll mbi punësimet e militarëve të VV-së, dhe të emëronte e shkarkonte disa drejtorë politikë e jo kompetentë në Drejtorinë e Arsimit, me çka degradoi skajshëm sistemin menaxherial të arsimit prizrenas.

Paga jubilare është e drejtë themelore e secilit mësimdhënës, të cilën në shumicën e rasteve janë duke e realizuar përmes rrugëve gjyqësore, rrugë kjo e cila ka kosto të dyfishtë për komunën dhe për mësimdhënësit. Komuna detyrohet të paguaj dhunshëm pagesat e shërbimeve përmbarimore dhe gjyqësore, kurse arsimtarëve iu shkaktohen humbje nga ajo pagë e vogël për të paguar avokatët për padi dhe ankesa. Është momenti i fundit që pushteti lokal të bëj planifikim të duhur buxhetor, duke përfshirë obligimet që i ka komuna ndaj punëtorëve të arsimit, dhe ashtu siç parashihet edhe me kontratën kolektive ku, me ‪7 mars t'i gëzojnë pagat jubilare, dhe arsimtarët mos të bredhin zyreve të avokatëve dhe përmbaruesve.

Me këtë injorancë dhe neglizhencë që po iu bëhet punëtorëve të arsimit po dëshmohet edhe njëherë paaftësia e Mytës për të qeverisur qytetin, njëkohësisht po vërtetohet se është PDK-ja ajo e cila ka trajtuar dinjitetshëm kategorinë e shenjtë të shoqërisë, siç janë mësimdhënësit e shumëpërvuajtur. Vlen të theksohet se është koha që qytetarët në përgjithësi, kurse punëtorët e arsimit në veçanti, të reflektojnë duke bërë krahasimin e punës gjatë kohës së qeverisjes së PDK-së dhe, tani të VV-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat