Si është gjendja me Covid-19 në Prizren?

Prizreni

Si është gjendja me Covid-19 në Prizren?

Më: 24 korrik 2020 Në ora: 23:46
Fadil Kryeziu

Fadil Kryeziu nga Qendra Rajonale e Shëndetit Publik në Prizren ka thënë se edhe në këtë qytet situata epidemiologjike është e rënduar.

“Edhe Prizreni është në vorbullën e pandemisë pothuajse njësoj si pjesët e tjera të vendit, sidomos në këtë fazë kur kemi një shtrirje më të gjerë të infeksionit me Covid-19 si rezultat i qarkullimit të madh të njerëzve brenda dhe jashtë vendit. Jemi në pikën e kufirit me Shqipërinë ku vetëm gjatë vikendit mësyjnë Shqipërinë mbi 6000 persona që është një mundësi e madhe e bartjes së infeksionit tutje”.

“Gjendja me pandeminë edhe në Prizren është sikurse në qytetet e tjera të vendit. Numri i të sëmurëve dhe hospitalizuarve në Repartin e Pulmologjisë dhe Infektives në Prizren është shumë i lartë, ashtu sikur edhe numri i të diagnostifikuarve me Covid-19. Vetëm sot kemi 17 raste pozitive që nënkupton personat që janë testuar më 21 dhe 22 të këtij muaji. Në ditët e tjera në mesatare numri i të infektuarve shkon nga mbi 5 deri 10”.

Kryeziu ka thënë se vonesa në rezultatet e testimeve, për të cilat ka pasë shumë kritika dhe ankesa, ndodh për shkak të mbingarkesës së Laboratorit të IKSHPK-së në Prishtinë.

“Ne nuk kemi rezultate për dy ditët e fundit që kemi mostruar, derisa sot kemi marrë rezultatet e ditës së martë dhe të mërkurë. Kjo ndodh për shkak të ngarkesës shumë të madhe në laboratorin e Prishtinës ku kapacitetet teknike dhe njerëzore kaq mund të bëjnë. Po supozoj që e kanë tejkaluar edhe mundësinë, sepse po bëhet një punë e jashtëzakonshme nga kolegët në laborator”.

A është edhe stafi shëndetësor në Prizren i prekur nga Covid-19?

“Kemi humbur disa mjekë, së fundmi kemi edhe një punëtore shëndetësore që ka ndërruar jetë ditën e sotme. Kemi staf shëndetësor të infektuar me Covid-19, ku disa janë në proces të shërimit. Kemi edhe personel të mesëm – infermierë që punojnë në spital – të infektuar. Për fat të mirë nuk është numri shumë i madh, por është krejt e pritshme që edhe ata të infektohen nga puna e tyre”.

Ai ka treguar se sa raste aktive me Covid-19 janë në Prizren dhe këtë rajon dhe sa janë shëruar.

“Ne vetëm në Prizren kemi rreth 100 raste aktive me Covid-19. Sot kemi 17 të rinj që futen në grupin e atyre që janë aktivë. Në nivel të rajonit kemi mbi 200 persona që janë Covid-19 aktiv. Por, edhe gama e të shëruarve po shkon duke u rritur – vetëm në muajin korrik kemi mbi 161 persona që janë shëruar në gjithë komunën. Për fat të mirë një pjesë e madhe e këtyre personave po e përballojnë infeksionin, derisa për fat të keq një numër i pacientëve kanë ndërruar jetë. Vetëm në Prizren gjatë muajit korrik kemi një numër të lartë të të vdekurve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat