Edhe gastronomët e Prizrenit të hënën do të protestojnë në mënyrë simbolike

Prizreni

Edhe gastronomët e Prizrenit të hënën do të protestojnë në mënyrë simbolike

Më: 25 korrik 2020 Në ora: 00:56
Prizreni

Komuniteti i gastronomëve të Prizrenit, të premten, është ankuar se zbatimi i masës së ndalesës së qarkullimit të qytetarëve prej orës 21:00 deri në orën 5:00 si dhe mospërkrahja e këtyre bizneseve nga institucionet përkatëse, ka bërë që ata të përballen me rrezikun e falimentimit.

Në një takim, ata i kanë dhënë mbështetje aksionit simbolik që do të mbahet të hënën para Qeverisë së Kosovës, duke theksuar se autoritetet duhet të ofrojnë përkrahje për këto biznese.

Afaristi prizrenas, Krenar Krajku, ka theksuar se janë bërë gati tri javë që prejse zbatohen masat e kufizimit të lëvizjes nga ora 21:00 në Prizren e qytete të tjera dhe se në anën tjetër, nuk ka rënie të numrit të të prekurve.

“Në qoftë se koha e inkubimit e sëmundjes COVID 19 është dy javë sipas ekspertëve, atëherë neve këtë të diele na bëhen 3 javë prej ditës kur jena mbyll. Atëherë numrat nuk janë zvogëluar por janë rritë. Lë t’na dëshmojnë që s’ka ardhë nga diçka tjetër por nga gastronomia. Në qoftë se ne e rrezikojmë atëherë ne do ti mbyllim gjithë gastronomët dhe të shpëtojmë Kosovën. Por nëse nuk jemi fajtorë atëherë pse ne ta pësojmë, se ne jemi më në prag të falimentimit”, ka thënë Krajku.

Ndërkaq, Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, ka theksuar se bizneset e këtij sektori janë përballur me masa kufizuese, por se nuk kanë pranuar lehtësira nga autoritetet.

“Ne i kemi respektu masat krejt. Kërkesat tona nuk kanë qenë menjëherë me fillu qysh kena punu me 100 për qind kapacitetit. E kuptojmë që virusi është i pranishëm dhe duhet me i respektu masat... Kërkesat tona kane qenë që subvencionimi i pagave me vazhdu, mbulimi i qirave 50 për qind me vazhdu, lehtësira financiare dhe shtyrja e deklarimeve për 3 muaj tjerë me vazhdu, ulja e TVSH-së prej 18 në 8 ose 6 për mi dhënë mundësi bizneseve me u rimëkëmb dhe riprogramimi i kredive”, ka thënë Kllokoqi.

Kërkesat e gastronomëve janë mbështetur nga drejtuesit e shoqatës së afaristëve dhe zejtarëve, “Esnaf” nga Prizreni. Kryetari i kësaj shoqate, Varis Xhejlani ka pohuar se zbatimi i masave kufizuese ka eliminuar alternativat për ngjalljen e ekonomisë.

“Tashmë në këtë periudhë sektori që është ndikuar më së shumti është sektori i gastronomisë, duke pas parasysh se është ndër sektorët që është mbyllur ndër të parët dhe ende nuk është hapur plotësisht. Gjithashtu në orët më të ngarkuara të punës është pamundësuar puna e tyre. Aktualisht sektori i gastronoomisë nuk është në gjendje të funksionojë. Kërkojmë urgjentisht nga autoritetet që të hiqet kufizimi i lëvizjes dhe masat tjera”, është shprehur Xhejlani.

Edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës me anë të një kërkese drejtuar ministrit Zemaj dhe ministrit Veliu, ka kërkuar rishqyrtimin e masave Anti-Covid19, respektivisht heqjen e masës së kufizimit të lëvizjes, si dhe të zgjatet orari i punës në gastronomi.

Sipas AKK-së, është parë se këto masa nuk kanë dhënë ndonjë rezultat pozitiv.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat