​PDK: Haskuka po e degradon arsimin në Prizren

Prizreni

​PDK: Haskuka po e degradon arsimin në Prizren

Më: 19 gusht 2020 Në ora: 11:35
PDK

Dega e PDK-së në Prizren, po akuzon kryetarin Mytaher Haskuka për shkarkimin e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të disa shkollave dhe zëvendësimin e tyre pa konkurs, vetëm me preferenca partiake.

“Veprimet e tilla tregojnë se ku e ka katandisur arsimin Haskuka dhe Vetëvendosja, që për 2 vjet të qeverisjes, ka ndërruar 3 drejtorë të arsimit, ku kjo e fundit, as pa e pasur as minimumin e njohurive rreth kësaj fushe, por duke vepruar sipas udhëzimeve të tutorëve që e dirigjojnë nga jashtë”, thuhet ndër të tjerash në komunikatën e PDK-së.

Ky është reagimi i plotë:

Dega e PDK-së në Prizren shpreh shqetësimin e saj të thellë ndaj fushatës, që e ka ndërmarrë Kryetari i Komunës së Prizrenit z. Mytaher Haskuka, ndaj drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të disa shkollave, për ndërprerjen e marrëdhënies së punës në pozitat udhëheqëse, si dhe për emërimin pa konkurs të disa mësimdhënësve tjerë, pa kritere e sipas preferencave politike të partisë në pushtet, Vetëvendosjes!

Vetëvendosje që kundërshtonte shkarkimin e qeverisë në kohë pandemie, tani vet po vepron në mënyrë të njëjtë ndaj shkollave, duke larguar drejtorët në prag të fillimit të vitit shkollor, dhe këtë veprim po e bën në mënyrë selektive.

Haskuka, në vend se t’i ftonte drejtorët për konsulta, rreth fillimit të vitit të ri shkollor në këtë kohë të paqartë, dhe t’i falënderonte për angazhimin gjatë pandemisë, ai në formë të vrazhdë, me anë të zarfeve të dërguar përmes korrierëve të komunës, i ka njoftuar ata për ndërprerjen e detyrës.

Nga kjo shihet qartë se ky është një veprim politik, që demanton premtimet e Haksukës, për depolitizimin e arsimit, ndërsa DKA nuk ka vepruar sipas Ligjit për Arsimin Parauniversitar, udhëzimit administrativ 15/19, në të cilin parashihet shpallja e konkursit 3 muaj para skadimit të kontratës ose të vazhdimit të kontratës, bazuar në performancën e treguar të menaxherëve të shkollave.

Përveç kësaj, Haskuka vetëm ka njoftuar nga distanca drejtorët për ndërprerje të pozitës, pa u ofruar atyre njëkohësisht kontratën konkrete për vendin e ri të punës, që sipas ligjit të referuar nga vetë ai e ka obligim, e madje nuk ka dhënë asnjë datë se deri kur do të zgjidhet kjo çështje.

Paradoksi edhe më i madh është arsyetimi i Haskukës se drejtorët nuk janë shkarkuar, por se atyre u ka skaduar kontrata, ndërsa shtrohet pyetja pse atëherë nuk janë larguar të gjithë në pako në 16 shkolla, por në mënyre selektive vetëm disa. A është aplikuar si zakonisht edhe në këtë rast standard i dyfishtë nga Hasksuka?

Veprimet e tilla tregojnë se ku e ka katandisur arsimin Haskuka dhe Vetëvendosja, që për 2 vjet të qeverisjes, ka ndërruar 3 drejtorë të arsimit, ku kjo e fundit, as pa e pasur as minimumin e njohurive rreth kësaj fushe, por duke vepruar sipas udhëzimeve të tutorëve që e dirigjojnë nga jashtë.

Haskuka, që është vetë profesor, sikur nuk mori mësim nga viti i kaluar kur për herë të parë pas 20 vitesh të pasluftës, fillimi i mësimit e gjeti Prizrenin pa drejtor të Arsimit, ndërsa sivjet, kjo po ndodh edhe me shkollat, meqenëse në shumicën e rasteve ushtruesit e emëruar as që kanë lidhje me menaxhim, ndërsa ky vit është shumë specifik për shkak të pandemisë dhe formës se si duhet nisur e vazhduar procesi mësimor.

Këto dhe shumë të tjera tregojnë se Drejtoria e Arsimit në Prizren, nga viti 2018 po përballet me sfidën e rekrutimit të menaxherëve të shkollave, prandaj edhe shumica e tyre janë me ushtrues detyre.

Rast i ngjashëm është rasti në gjimnazin “Gjon Buzuku”, ku drejtori aktual, një militant i VV-së, kundërligjshëm ushtron detyrën e drejtorit prej gati 2 vitesh, ndërsa ligji e parasheh më së shumti 6 muaj. Për më keq, në muajin prill, edhe në pozitën e zëvendësdrejtorit është caktuar një ushtrues detyre, dhe me këtë njëra ndër shkollat më të mëdha në Kosovë, funksionon me 2 ushtrues detyre, rast që s’ka ndodhur ndonjëherë. Vetëm në shkollën e mjekësisë gjatë mandatit të VV-së janë caktuar 4 UD të drejtorit.

Një rast tjetër specifik dhe shumë i ndjeshëm është ai i gjimnazit gjuhësor “Remzi Ademaj”, ku tashmë ish drejtori, pas përfundimit të kontratës së punës në janar nga kryetari Haskuka, është caktuar UD i drejtorit të shkollës deri në shpalljen e konkursit. Përkundër kësaj, me vendimin e ri të datës: 13.08.2020, ai është larguar nga kjo pozitë, ndërsa në vend të tij është caktuar UD tjetër, nga një kolektiv tjetër.

Në këtë rast shtrohet pyetja se cila është logjika juridike dhe morale e veprimit, kur drejtori aktual lë detyrën e drejtorit që e mbante për 4 mandate në të njëjtën shkollë, për ta marrë atë të ushtruesit të detyrës në një shkollë tjetër?

Veprimi i këtillë i Vetëvendosjes, është dëshmia më e mirë se ky subjekt nuk ka kuadro, prandaj nuk shpall konkurse, dhe se në këtë formë duke emëruar militantë pa përgatitje përkatëse, synon që ta zhagis procesin, duke vazhduar me ushtrues detyre.

Situata aktuale është për keqardhje, por Haskuka as nuk ka si ta dijë këtë, pasi është turist në Prizren dhe siç duket edhe në këtë rast, vendimet e tilla i servohen nga njerëz të ricikluar në disa parti, pastaj të dënuar, por që ky për mungesë kuadrosh, detyrohet t’i mbajë sa për të thënë se ka dikë.

Veprimet e tilla tregojnë qëllimet makiaveliste të Haskukës dhe Vetëvendosjes, duke qenë synim vetëm pushteti dhe jo mënyra e funksionimit të institucioneve sipas ligjit, ndërsa për më keq kur Drejtorinë e Arsimit e drejton një femër, ku nga shkollat janë larguar 5 femra, duke mos respektuar jo vetëm premtimet e Haskukës për përfshirjen e sa më shumë femrave, por as kuotën për barazi gjinore. Për këto, ish-pushteti kishte lëvdata nga instancat më të larta rreth përzgjedhjes së një numri të konsiderueshëm të femrave.

Për më keq, duket se vendimet nuk janë të kryetarit Haskuka, por të servilëve dhe sejmenëve të tij, të cilët shkojnë në zyret e Drejtorisë së Arsimit pas orarit të punës, sikur në kohët diktatoriale për të seleksionuar persona të dëgjueshëm, siç është rasti i ish drejtorit S.S., madje edhe i dënuar nga Gjykata për manipulime me konkurse për punësim.

Kjo tregon se deri tash Haskuka e VV, nuk kanë mundur ta zgjedhin as edhe një drejtor. Shumica e konkurseve janë në procese gjyqësore dhe të pezulluara.

Në anën tjetër, zëvendësdrejtorët e shkollave janë larguar para një jave dhe postet e tyre kanë mbetur te zbrazëta pa emërime të reja, ndërkohe që 1 shtatori është në prag.

PDK në këtë rast fton mësimdhënësit të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e ofertave dhe joshjeve që po u bën Vetëvendosje, në këtë kohë tranzicioni, për t’i pozicionuar në poste, përmes formës diskutabile, pa konkurse e kritere. Me ardhjen në pushtet, PDK paralajmëron se do t’i trajtojë këto raste konform legjislacionit.

Bashkangjitur keni edhe citime nga Ligji për emërimin e drejtorëve:

Nëse i referohemi Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës Nr. 03 L-149, e duke u bazuar në nenin 30 pika 4 decitivisht thuhet:

Neni 30

Zëvendësimi i nëpunësit civil në rast të mungesës.

4. Në rast të mbetjes së një pozite të lirë në shërbimin civil, ushtruesi i detyrës nuk mund të emërohet më gjatë se tre (3) muaj.

Në bazë të katalogut për vendet e punës në shërbimin civil në Kosovë (janar 2015) drejtori, zëvendës drejtori i shkollës, biblotekisti, pedagogu, sekretari dhe drejtori i çerdheve, janë kategori e shërbimit civil, ku të njëjtit nuk munden me e ushtru detyrën në rast të mungesës më gjatë se tre (3) muaj.

Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, është duke bërë shkelje:

- Mos shpalljen e konkursit për drejtor dhe zëvendës drejtorë sipas afatit ligjor, duke u bazuar në nenin 3 pika 3 të Udhëzimit Administrativ nr. 15/2019, ku përbën shkelje ligjore.

- Mos respektimi i afatit ligjor, ushtruesi i detyrës nuk mund të emërohet më gjatë se tre (3) muaj.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat