Kuvendi i Prizrenit anulon vizitën studimore në Shqipëri pas aktakuzave të Speciales

Prizreni

Kuvendi i Prizrenit anulon vizitën studimore në Shqipëri pas aktakuzave të Speciales

Më: 5 nëntor 2020 Në ora: 23:45
Foto Ilustrim

Zhvillimet e ditës së enjte lidhur me aktakuzat e Gjykatës Speciale kanë shtyrë drejtuesit e Kuvendit të Prizrenit që ta anulojnë vizitën studimore në Shqipëri. Kjo vizitë e dedikuar për kuvendarët, sipas kryesuesit të KK-së, do të realizohet në një kohë më të përshtatshme. Ndërkohë një anëtare e Kuvendit ka kundërshtuar vizitën studimore në Shqipëri, me arsyetimin se Kuvendi i Prizrenit duhet të mbajë seanca për t’i shqyrtuar çështjet që janë preokupim i qytetarëve. Ndërsa monitoruesit konsiderojnë se vizitat e tilla në kohë pandemie nuk mund të arsyetohen meqë janë rritur nevojat e kërkesat e qytetarëve për politika sociale.

Kryesuesi i KK-së së Prizrenit, Sulltan Badallaj, të enjten pasdite përmes një shkrese ka njoftuar kuvendarët për anulimin e vizitës studimore.

"Ju njoftojmë se është anuluar vizita studimore në Republikën e Shqipërisë e planifikuar për ditën e nesërme, datë 6.11.2020, për shkak të situatës dhe rrethanave të krijuara institucionale. Kjo vizitë do të realizohet në një kohë më të përshtatshme, të cilën do ta vendosim së bashku ditëve në vijim", ka shkruar Badallaj.

Qysh para anulimit kuvendarja e LVV-së, Dafina Alishani, ka kundërshtuar realizimin e një vizite të tillë, duke theksuar se KK-ja e Prizrenit nuk i përmbahet planit të vet të punës, dhe se tani kërkohet hartimi i raportit të punës për vitin 2020, si dhe të planit të punës për vitin 2021.

“Seanca e fundit e rregullt është mbajtur para një muaji e gjysmë dhe ende nuk ka iniciativë të bëhet seanca e rregullt, ku duhet diskutuar buxheti e shumë çështje e probleme tjera”, ka thënë Alishani, duke shtuar se nuk do të marrë pjesë në këtë organizim, pasi që KK-ja duhet të mbajë seanca për të diskutuar çështjet që janë preokupim i qytetarëve. Njëherësh ka shprehur bindjen se organizimi i tillë bie ndesh me masat e fundit të Qeverisë për frenimin e përhapjes së sëmundjes COVID-19.

Ndërsa Naim Cahani nga KDI ka vlerësuar se vizitat studimore janë një mundësi e mirë për ngritjen e kapaciteteve të anëtarëve të KK-së për përmbushjen e mandatit të tyre në përfaqësimin e interesave të qytetarëve.

“Mirëpo, ndërmarrja e veprimeve, të KK-së në Prizren për vizita studimore dhe hartimin e Planit të punës për vitin 2021 në kuadër të kësaj vizite studimore, në një periudhë të krizës me pandeminë, ku nevojat dhe kërkesat e qytetarëve për politika sociale janë rritur, nuk mund të arsyetohet assesi. Përtej kësaj, mungesa e koordinimit me Ekzekutivin komunal në hartimin e Planit të punës si dhe mospërfshirja e aktorëve jashtinstitucionalë do të prodhojë një dokument të parealizueshëm në praktikë”, është shprehur ai.

Në anën tjetër kryesuesi i KK-së, Sulltan Badallaj, ka pohuar se vizita studimore parashihet me planin e punës për vitin 2020, në kuadër të cilës parashihet diskutimi i raportit të punës së Kuvendit të Komunës për vitin 2020, si dhe hartimi i Planit të punës së Kuvendit të Komunës për vitin 2021, derisa janë paraparë edhe vizita në pjesët historike të Vlorës dhe Beratit.

“KK-ja vazhdimisht e ka hartuar planin e vet, edhe me ndihmën e organizatave ndërkombëtare. Ideja ka qenë që këtë praktikë ta vazhdojmë edhe sivjet dhe për këtë qëllim janë planifikuar 10 mijë euro nga buxheti i Komunës”, ka thënë Badallaj. Ai ka shtuar se KK-ja e Prizrenit është duke i përmbushur detyrat e saj në përputhje me kompetencat që i ka dhe se çdo muaj ka mbajtur mbledhje, qofshin ato të rregullta apo të jashtëzakonshme.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat