​Koalicionet në Prizren, Totaj pret LDK-në dhe përjashton LVV-në: Drejtorët i emëroj në janar

Prizreni

​Koalicionet në Prizren, Totaj pret LDK-në dhe përjashton LVV-në: Drejtorët i emëroj në janar

Më: 25 dhjetor 2021 Në ora: 13:25
Shaqir Totaj

Kryetari i ri i Prizrenit, Shaqir Totaj, ende nuk ka emëruar drejtorët e rinj. Arsye për këtë është se Totaj po pret përgjigje nga Lidhja Demokratike e Kosovës pas ftesës për t’u bërë pjesë e koalicionit qeverisës.

Totaj thotë se përkundër që ditëve të fundit ka një qasje joprofesionale nga ana e LDK-së, ai do të presë deri në janar që të emërojë kabinetin e tij. Megjithatë, shton se nuk mund të pres deri në pafundësi.

Totaj: Drejtorët më së largu javën e parë të muajit janar do të emërohen

“Unë besoj se më së largu javën e parë të muajit janar (drejtorët) do të emërohen. Këtë e them për arsye se ne akoma po shpresojmë në faktin që mund të gjejmë një gjuhë të përbashkët me LDK, edhe pse kohëve të fundit nga ana e tyre e kemi pasur një qasje joprofesionale, jokonstruktive. Por, megjithatë për shkak të arsyes se sinqerisht jam falënderues që na kanë ndihmuar në procesin e zgjedhjeve, nuk mund t’i injoroj tërësisht, mirëpo nuk mund t’i presim edhe në mënyrë të palimituar. Por, gjithsesi edhe një bisedim do ta bëjmë, por më së largu në javën e parë të janarit do t’i emërojmë”, thotë ai.

Mosarritja e një marrëveshjeje PDK-LDK për të qeverisur me Prizrenin, sipas Totajt, burojnë në dallimet që eksitojnë brenda Lidhjes Demokratike dhe jo tek ndarja e pushtetit lokal.

Totaj: Problemi më i madh tek LDK është se kanë përçarje

“Problemi më i madh tek LDK është se kanë përçarje, nuk kanë lidership dhe personat me të cilët ne kemi biseduar nuk janë të vetmit të cilët e përfaqësojnë degën e LDK-së. Ne konsiderojmë se është e rëndësishme që bashkëpunimi të vazhdojë në nivel të degës, do të thotë lidershipi i degës së PDK-së me lidershipin e degës së LDK-së, të vendosin për një bashkëpunim eventual i cili do të mund të ndodhte. Mirëpo, është më problematike që ne të vendosim të krijojmë koalicion me një pjesë të përfaqësuesve të degës së LDK-së kur nuk është i tërë lidershipi që e udhëheq degën”, thotë ai.

Megjithatë, raportet mes këtyre dy partive duket sikur u përkeqësuan pas votimit të Antigona Berisha Bytyqit si kryesuese e Kuvendit Komunal. Asamblistja e LDK-së, Kujtesa Shatri, votoi për Berisha-Bytyqin, por që më pas u përjashtua nga partia, Kjo sjellje e LDK-së, sipas Totajt është radikale dhe nuk i kontribuon demokracisë.

Totaj: LDK me hap radikal

“Tash është çështje e LDK-së se pse ka vendosur për një hap të tillë radikal, mirëpo unë konsideroj se përjashtimi eventual i një gruaje nga partia pse e ka përkrahur një grua tjetër nga një parti tjetër nuk i kontribuon zhvillimit të demokracisë në asnjë vend të Kosovës po as brenda një subjekti politik që ka ndodhur”, vijoi Totaj.

Për zgjedhjen e kryesueses së re të Kuvendit Komunal të Prizrenit, votuan edhe dy asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje, por Totaj përjashton koalicionin me partinë e Kurtit, megjithëse thotë se do t’i shtrijë dorën e bashkëpunimit asamblistëve të LVV-së.

Totaj: Nuk e besoj që ka mundësi me ndodhë koalicioni me LVV-në

“Nuk e besoj që ka mundësi me ndodhë kjo (koalicioni me LVV), mirëpo bashkëpunimi nuk do të thotë me çdo kusht të ketë koalicion. Bashkëpunimi mund të ndodh në forma të tjera, mund të ndodh bashkëpunimi dhe nuk jemi përjashtues sa i përket implementimit të projekteve që mund të vijnë nga LVV, sepse ata asamblistë përfaqësojnë një grup qytetarësh të cilët e kanë në interes të një pjese të qytetit të Prizrenit dhe ne nuk jemi përjashtues në atë aspekt. Pa marrë parasysh që mund të mos kemi koalicion do të bashkëpunojmë”, thotë ai.

Megjithatë, nëse nuk do të arrihet një koalicion me LDK-në, Totaj thotë se do të emërojë drejtorët duke respektuar marrëveshjet e tjera të koalicionit që ka me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA-n.

Mirëpo, Totaj pret mbështetjen e të gjitha subjekteve politike javën e ardhshme kur do të dërgojë në Kuvend Komunal miratimin e buxhetit të komunës.

Totaj: Ne planifikojmë që javën e ardhshme të miratojmë buxhetin

“Ne planifikojmë që javën e ardhshme të miratojmë buxhetin, kurse në buxhet janë të listuara projektet, të gjitha ato që kanë qenë vazhdimësi të iniciuara nga ish-kryetari ne nuk do t’i ndërpresim. Por, natyrisht përpara miratimit të buxhetit kemi pasur pak hapësirë që t’i fusim disa projekte tonat. [...] Nuk shoh problem te miratimi i buxhetit sepse është reflektim i nevojave të qytetarëve të komunës së Prizrenit pa dallim. [...] Ne kemi koalicion me AAK-në, kemi koalicion me NISMA, kemi bashkëpunim dhe mendoj që nuk do të kemi problem për miratimin e tij”, shprehet Totaj.

Shaqir Totaj mori besimin e prizrenasve në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale duke fituar ndaj ish-kryetarit Mytaher Haskuka.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat