Prokuroria në Prizren ngrit aktakuzë ndaj një personi për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në Prizren

Prizreni

Prokuroria në Prizren ngrit aktakuzë ndaj një personi për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në Prizren

Më: 1 shkurt 2022 Në ora: 11:24
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit L.K., në cilësi të personit zyrtar, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, në periudhën kohore nga data 14.12.2018 e deri më 12.02.2020, i pandehuri L.K., duke punuar si person zyrtar në Komunën e Prizrenit – drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, me dashje nuk i përmbush detyrat zyrtare e me qëllim që t’i mundësojë dobi pasurore personit tjetër në rastin konkret dy operatorëve ekonomik, në atë mënyrë që me rastin e hartimit të paramasave të pozicioneve – artikujve, ka ndërhyrë, dhe ka ndryshuar paramasat, të cilat ia ka dërguar zyrtari për energjetikë në Drejtorinë e Shërbimeve Publike.

Po ashtu “dëshmitari S.T., më pas në cilësinë e menaxherit të kontratës ndërmjet Komunës së Prizrenit dhe dy operatorëve ekonomik lidhur me zbatimin e tenderit ‘’Ndërtimi i mini parqeve, furnizimi dhe vendosja në hapësira publike të ulëseve, koshave të mbeturinave dhe ndriçim publik’’ në Komunën e Prizrenit, në vlerë prej 289.124.00 euro, ka lëshuar urdhëresa për realizimin e punimeve sipas pozicioneve ku çmimet kanë qenë më të larta, duke tejkaluar edhe porositë për këto pozicione mbi 30% të kontratës, ndërsa në anën tjetër për pozicionet më të ulëta nuk ka kërkuar që këto pozicione të realizohen dhe në këtë mënyrë gjatë realizimit të kontratës i shkakton dëm autoritetit kontraktues – Komunës së Prizrenit në vlerë prej 103,148.34 euro e të cilat fakte janë vërtetuar përmes ekspertizës së prokurimit pubik të datës 21.06.2021”.

Me këto veprime, i pandehuri L.K., ka përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat