​Përurohet reparti i rinovuar i Kirurgjisë në Spitalin e Prizrenit

Prizreni

​Përurohet reparti i rinovuar i Kirurgjisë në Spitalin e Prizrenit

Më: 15 prill 2022 Në ora: 17:16
Reparti i rinovuar i Kirurgjisë në Spitalin e Prizrenit

Është përuruar sot reparti i rinovuar i Kirurgjisë në Spitalin e Prizrenit, me mbështetjen e Qeverisë së Luksemburgut. Si rrjedhojë pacientët do të kenë kushte dhe shërbime më të mira për trajtimin e problemeve shëndetësore që ata kanë.

Në një komunikatë për media të Ministrisë së Shëndetësisë bëhet e ditur se ministri Rifat Latifi ka thënë se është në frymën e angazhimeve të Ministrisë transformimi i Kirurgjisë në Kosovë dhe vet sistemi shëndetësor.

Ministri Latifi falënderoi Qeverinë e Dukatës së Madhe të Luksemburgut, të cilët financuan këtë projekt që, sipas ministrit, për rezultat do të ketë avancimin e ndërhyrjeve kirurgjike, rritjen e sigurisë e cilësisë për pacientit dhe ngritjen e motivimit për personelin shëndetësor.

“Ky investim dhe shumë investime tjera që ka bërë Qeveria e Luksemburgut, si pjesë e aktiviteteve të projektit Programi mbështetës për shëndetësi në Kosovë, tregon më së miri se bashkëpunimi i mirë që ka Kosova dhe institucionet e saj me Qeverinë e Luksemburgut, përkthehen në përfitime për qytetarët tanë”, theksoi Latifi.

Ambasadorja e Dukatës së Madhe të Luksemburgut në Kosovë, Natasha Gomes, tha se rinovimi i këtij reparti është shembull i modernizimit të shërbimeve shëndetësore për qytetin e Prizrenit dhe më gjerë.

Ajo tha se bashkëpunimi i tillë ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve - pacientëve, që të kenë shërbime më të mira, e po ashtu edhe stafi shëndetësor kushte më të mira për punë.

Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi falënderoi donatorin për kontributin në përmirësimin e kapaciteteve spitalore në Komunën e Prizrenit dhe në njësitë e tjera të ShSKUK-së.

Ndërsa drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit “Prim. Dr. Daut Mustafa”, Afrim Avdaj, pasi falënderoi Qeverinë e Luksemburgut për mbështetjen që ka ofruar ndër vite për këtë spital, tha se sot është një ditë shumë e madhe dhe e veçantë për për mjekët, infermierët, dhe më e rëndësishmja për qytetarët e Prizrenit, të cilët do të kenë trajtim dhe shërbime shumë më të mira.

Rinovimi i Repartit të Kirurgjisë në Spitalin e Prizrenit, është pjesë e aktiviteteve të projektit "Programi mbështetës për shëndetësi në Kosovë - faza II- KSV/017", i cili financohet nga Qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat