Pacolli: Buxheti i varfër e bën Kosovën të duket shtet joserioz

Prizreni

Pacolli: Buxheti i varfër e bën Kosovën të duket shtet joserioz

Më: 8 dhjetor 2016 Në ora: 18:51
Pacolli, Prizren

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, z.Behgjet Pacolli, sot në prani të një numri të madh të qytetarëve dhe përfaqësuesve të bizneseve në Prizren, ka mbajtur debatin për Zhvillim Ekonomik dhe Punësim.

Duke i përshëndetur të pranishmit presidenti i AKR-së, z.Behgjet Pacolli ka folur për problemet esenciale me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare, duke vënë theks të veçantë në çështjen e papunësinë si dhe në mungesën e zhvillimit ekonomik.

“Ne i kemi dy probleme të mëdha, mungesë të zhvillimit ekonomik dhe mungesë të punësimit. Qeveria jonë nuk ka arritur të tregojë performansë për krijimin e një ambienti apo së paku një shprese për ngritjen e standardit të qytetarëve”, ka Presideni Pacolli para qytetarëve.

Pacolli e ka akuzuar udhëheqësinë kosovare për dështim në krijimin e një ambienti të sigurt dhe atraktiv për investime.  “Të gjitha këto ndikojnë në imazhin e Kosovës. Ne nuk kemi as shërbime shëndetësore si duhet. Statistikat tregojnë për një numër shumë të madh të të papunëve, rreth 50 përqind e popullatës që është e aftë për punë, sot bredh rrugëve dhe nuk gjen dot një vend pune”, ka shtuar Pacolli.

Lideri i AKR-së e ka përmendur edhe testimin ndërkombëtar për krahasimet mes shteteve në nivelin arsimor, PISA, ku Kosova doli me rezultat shumë të dobët. “Ju i keni parë edhe rezultatet e testimeve ndërkombëtare të nivelit arsimor. Këtu do të duhej të merr përgjegjësi dikush.

Qeveritarët tanë marrin hov të marrin merita por kur vie puna për marrje të përgjegjësisë, askush nuk përgjigjet dhe kjo tregon se me sa papërgjegjësi i mbajnë ata këto poste”, ka thënë ai, duke shtuar se duhet të ekzistojë ligji që i mbron investitorët, të cilët duan t’i fusin paratë e tyre në një ambient të sigurt dhe të rregulluar me ligj.

Lideri i AKR-së para prizrenasve ka thënë më tej se, esenca e programit të AKR-së është ekonomia. “Nëse ka rritje ekonomike, ngritet standardi jetësor e rrjedhimisht edhe vetëdija qytetare”. Pacolli me këtë rast e ka përmendur edhe privatizimin e shfrenuar në Kosovë, i cili ka krijuar varfëri të tepruar. “Kosova ka rini dinamike, rini të përgatitur për sfida, ndërsa ne këtë iniciativë e kemi lënë në duart e njerëzve të cilët janë brengosur vetëm për gjepat e tyre. Kosovës i nevojitet një marshall plan për rritje ekonomike. AKR-ja garanton se do të reduktojë administratën publike e cila i kushton shumë buxhetit. Ne do ta bëjmë edhe korrigjimin e ligjit i cili ka shumë hapësira për interpretim”, ka shtuar numri një i AKR-së.

Ai ka thënë se programi i Aleancës Kosova e Re parasheh intensifikimin e iniciativave që investimet kapitale të mbizotërojnë mbi harxhimet personale të qeveritarëve.

Pacolli ka treguar para prizrenasve se planet e AKR-së e kanë për bazë ndërtimin e shtetit ligjor dhe krijimin e bazës së nevojshme për investimet e huaja. 

Në këtë debat me qytetarë më tej u diskutua edhe për strategjitë kombëtare të AKR-së, të bazuara në potencialet reale të vendit, si dhe për investime në sektorët me potencial për prodhim si; bujqësia, tregtia, shërbimet e avancuara si dhe shumë fusha të tjera të cilat kanë hapësirë veprimi në Prizren.

Debati më pas ka vazhduar me pyetje të shumta të qytetarëve të Prizrenit për z.Pacolli, i cili ju dha përgjigje kërkesave, pyetjeve dhe çështjeve të tjera që i shtruan pjesëmarrësit në këtë takim.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat