Studentët akuzojnë komunën se ua vodhën idenë, komuna thotë se ishte ide e tyre

Prizreni

Studentët akuzojnë komunën se ua vodhën idenë, komuna thotë se ishte ide e tyre

Më: 26 dhjetor 2016 Në ora: 15:32
Ragip Salihu

Një grup studentësh nga komuna e Suharekës, me 22 nëntor kanë marrë lejen e komunës për shfrytëzim të sheshit “Fadil Vata”, për organizimin e një aktiviteti humanitar i cili është paraparë të mbahet nga 19 deri më 30 dhjetor.

Por, këtë aktivitet ata nuk mundën ta realizojnë pasi që komuna e Suharekës ka filluar me një aktivitet të ngjashëm një javë para fillimit të aktivitetit të tyre.

Ragip Salihu, një nga përfaqësuesit e grupit, rrëfen për KosovaPress se aktiviteti të cilin ata e kanë paraparë të mbahet në sheshin “Fadil Vata” ka qenë komplet humanitar dhe mjetet të cilat do të mblidheshin gjatë aktivitetit do të shkonin për një grua të sëmurë me sëmundjen e kancerit në komunën e Suharekës.

Po ashtu, ai tha se ata kanë marrë lejen e Komunës për shfrytëzim të sheshit në drejtorinë e Urbanizimit dhe kanë kërkuar mbështetje edhe në drejtorinë për kulturë, rini, sport dhe mërgatë në Komunën e Suharekës, ku nga zyrtarët e komunës kanë marrë pëlqimin rreth mbajtjes së aktivitetit në fjalë. Por, që sipas Ragipit gjithçka ndryshoj kur një javë më pas janë thirrur nga drejtoria e kulturës dhe u është thënë që kjo ide është e tyre.

Ragipi tregon se dyshimet kanë filluar të rriten kur një javë para fillimit të aktivitetit komuna vetëm ka filluar vendosjen e shtëpizës së drurit dhe dekorimin e sheshit dhe kur kanë kontaktuar komunën përgjigja e tyre ka qenë që ata po fillojnë më herët në mënyrë që të promovojnë projektin e studentëve.

Salihu: Nuk kemi pas nevojë për marketing

“Po krejt puna e kësaj fushate para se me filluar na u kanë që ata me përfitu prej asaj domethënë e kanë shfrytëzuar lejen që e kemi marrë ne në komunë që realisht nëse t’i bënë biznes në shesh publik leja paguhet mirëpo për shkak të natyrës që na e kemi pas për aktivitet humanitar edhe për shkak që jemi studentë nuk kemi bërë asnjë pagesë domethënë përkraha kësaj që na i kemi marrë ato leje edhe pëlqime ai e ka shfrytëzuar që bashkë me kompaninë ma ba biznes edhe me përfitu”, tha Salihu.

 Arsyetimi i drejtorit të kulturës sipas Ragipit, për fillimin e aktivitetit më herët ka qenë që duhet të fillojnë më herët për arsye se sheshi ka mbetur i zbrazët.

Salihu, ka shkuar edhe tek kryetari i komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, të cilit edhe ia ka treguar problemin që e kanë.

Siç thotë ai kryetari nuk e ka ditur për një aktivitet të tillë të karakterit humanitar ndërkohë që Salihu thotë se Asllanaj i ka thënë se është dashur që të shkojnë drejt te ai për ta zgjedhur këtë problem.

Salihu: Këta ua paskan vjedhë idenë

“ I thashë pse duhet me ardhë te ti kur janë drejtoritë e caktuara për shembull nëse dëshiron me marrë një leje shkon në Drejtori të Urbanizmit ose nëse dëshiron diçka një zërim ose diçka ju kemi drejtuar Drejtorisë për Kulturë që janë përgjegjës. Tha ‘jo po realisht këta j’ua paskan vjedhë idenë e juaj’. Edhe i thashë po është ashiqare e ditur që e kanë vjedh se na kemi filluar moti edhe pas datave që ne e kemi bërë kërkesën kjo ka rezultuar që pas një jave ata kanë thënë që është ide e jona”, tha ai.

Ragip Salihu  tha se ndonëse kishe marrë kërkim falje nga ana e kryetarit për këtë gjë dhe ia kishte bërë të ditur atij se këta për shkak të mos besimit kishin hequr dorë nga ky aktivitet, aktiviteti kishte vazhduar të mbahej vetëm se  i ishte ndërruar motoja.

Në anën tjetër kryetari i Suharekës Sali Asllanaj thotë se ka biseduar me drejtorin e Kulturës në këtë komunë dhe se nga ai e ka kuptuar se ideja nuk është e vjedhur dhe se kjo ide ka qenë qe sa vjet në Suharekë.

 “Lidhur me vjedhjen e idesë që e kanë prezantuar këta në zyre, përfaqësuesi i këtij grupi të studentëve dhe unë pastaj jam konsultuar me drejtorinë e kulturës dhe më kanë thënë që kjo ide është e vjetër që tri katër vjet, është organizuar në Prishtinë në përmasa të ndryshme, por nuk është ide e re por është ide e vjetër shumë”, tha Asllanaj për kp nëpërmjet telefonit.

I pyetur lidhur me atë që kur ishte takuar me Ragip Salihun, atij i kishte thënë se komuna nuk ka pas një ide të tillë ai u përgjigj duke thënë se ka marrë vesh për këtë projekt para tri jave.

“Përgjigja ime ka qenë që këta janë marrë vesh. Para tri jave e kam marrë vesh për këtë ide, dhe meqë kryetari nuk e ka ditur nuk do të thotë që drejtori i kulturës nuk e ka pas këtë ide. Drejtoria e Kulturës e ka pas atë ide, jo kryetari .Edhe unë e mora për detyrë në bazë të deklarimeve të tyre që me hetu këtë rast se çka është puna sepse mua si vjedhje e idesë ishte diçka që më shqetësonte shumë, por kur kuptova se nuk ka lidhje me vjedhje të idesë”, tha Asllanaj.

Asllanaj bëri të ditur se të gjitha mjetet që do të mblidhen nga aktiviteti që tashmë po mbahet në shesh do të shkojnë për “Fondin Arbër Ramadani”, që është një fondacion për të sëmurët nga kanceri.

Në sheshin “Fadil Vata” studentët kanë pasur që të sheshin verëra dhe të çokollata të nxehta duke vendosur shtëpiza të drurit .

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat