Hoti në Prizren me besim të plotë në fitoren e madhe

Prizreni

Hoti në Prizren me besim të plotë në fitoren e madhe

Më: 9 qershor 2017 Në ora: 22:28
Avdullah Hoti në Prizren

Gjatë një takimi me banorët e Arbanës së Prizrenit, kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të premten në mbrëmje se ka besimin e plotë se të dielën do të kemi një fitore të madhe në zgjedhje.

“Kam plot besim se këto zgjedhje do t'i përmbyllim me një fitore të madhe, të thellë dhe do të fillojmë menjëherë punën me qeverinë e re. Jemi bashkuar të gjitha shtresat e shoqërisë, themeluesit e LDK-së, të rinjtë dhe të rejat, gratë dhe burrat më të mirë të këtij vendit për t’ia sjellë Kosovës fitoren e madhe”, ka thënë Hoti.
Ai ka shtuar se fryma Rugoviane po kthehet me të madhe në Kosovë.

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se kjo është një atmosferë e fitores që nuk e kemi parë asnjëherë në Prizren dhe gjithë Kosovën, para fitores së madhe që po na pret në zgjedhjet e së dielës.

“Është gëzim i veçantë i yni që po aderojnë shumë të rinj dhe të reja në LDK dhe kjo është fitorja jonë e parë, ndërsa fitorja e dytë do të jetë në zgjedhjet e së dielës. Prurjet e reja tregojnë se LDK po përjeton një rifreskim të saj për të fituar në zgjedhje”, ka thënë Mustafa.

Image
Mbështetësit e presin Hotin në Prizren

Ai ka shtuar se ne do të fitojmë shumicën në Kuvend dhe do ta kemi kryeministrin tonë të Republikës së Kosovës, profesor Avdullah Hotin.
“Ne kemi punuar një kohë të gjatë me Hotin, edhe në komunë edhe në qeveri, është fjala për një njeri që me kompetencë të plotë do ta mbulojë këtë përgjegjësi të kryeministrit të vendit dhe është njeri që meriton përkrahjen tonë”, ka thënë Mustafa.

Haxhi Avdyli, kryetar i Degës së LDK-së në Prizren, ka thënë se kandidati ynë për kryeministër z. Hoti ka zgjedhur që orët e fundit të fushatës t'i ndajë me ne dhe kjo tregon për rëndësinë që ai i jep Prizrenit dhe gjithë Kosovës.

“Hoti ka treguar suksese si në Komunën e Prishtinë ashtu edhe në Ministrinë e Financave ku ka qenë ministri më i suksesshëm. Në Ministrinë e Financave ka treguar profesionalizëm dhe ndershmëri, prandaj me plot bindje shpresojmë që këtë punë do ta kryejë si është më së miri edhe në Qeveri”, ka thënë Avdyli.

Ai ju ka bërë apel qytetarëve që të mobilizohen të gjithë, të dalim në zgjedhje dhe të votojmë kandidatët më të preferuar. “Në listën prej 110 emrave kemi kandidatë të mrekullueshëm të cilët do të marrin përkrahjen tuaj. Prizreni ishte gjithmonë vend i vendimeve të mëdha, ne këtu do ta marrim vendimin e madh bashkërisht me krejt Kosovën për ta zgjedhur kryeministrin e ri”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat