Shaqir Totaj viziton Kroacinë: Fillojmë bashkëpunimin Prizren-Zagreb

Prizreni

Shaqir Totaj viziton Kroacinë: Fillojmë bashkëpunimin Prizren-Zagreb

Më: 15 shtator 2017 Në ora: 12:39
Pamje nga takimi

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj po qëndron për vizitë zyrtare në Zagreb të Kroacisë ku ka zhvilluar një sërë takimesh me qëllim inicimin e bashkëpunimit konkret mes dy qyteteve dhe çfarë përvoja mund të fitohen nga kryeqyteti kroat.

Totaj ka takuar kryetarin e Kuvendit të Zagrebit, Andrija Mikuliq ku kanë diskutuar për bashkëpunimin konkret mes dy institucioneve komunale, atij të Zagrebit dhe Prizrenit. 

Po ashtu, Totaj është takuar edhe me drejtorin e qendrës spitalore të Zagrebit, Dr. Mario Zovak për t’u njohur me shembujt më të mirë të organizimit të shërbimit shëndetësor primar dhe përvojat.

Totaj ka vizituar edhe disa biznese të fuqishme në Kroaci ku ka diskutuar për mundësinë e investimeve të tyre në Prizren. 

“Kam nisur një vizitë pune në Zagreb për të vendosur edhe kontaktet e para për të bashkëpunuar mes dy qyteteve tona. Ka një diasporë shqiptare këtu e sidomos nga qyteti i Prizrenit prandaj unë shoh shumë mundësi të mira bashkëpunimi në të gjitha nivelet ndërmjet Prizrenit dhe Zagrebit. Shpejt mund të kemi edhe investime kroate në qytetin tonë. Kryeqyteti i Kroacisë është një qytet model në Evropë dhe ne mund të mësojmë shumë për të arritur nivelet e tilla,” ka thënë Totaj. 

Kandidati i PDK-së për Kryetar të Prizrenit pritet të ketë edhe takime të tjera të niveleve të lartë në Zagreb, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga dega e PDK-së në Prizren. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat