Veseli: PDK-ja për zhvillim dhe fuqizim të vendit

Prizreni

Veseli: PDK-ja për zhvillim dhe fuqizim të vendit

Më: 22 shtator 2017 Në ora: 19:15
Veseli, Prizren

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me moton “Forca e ndryshimit” sot pasdite ka hapur fushatën zgjedhore në Prizren dhe ka prezantuar kandidatin për kryetar të komunës, Shaqir Totaj.

Ky subjekt politik synon ta udhëheqë edhe për katër vjetët e ardhshme, qytetin më të lasht në vend, duke ofruar një program qeverisës që premton perspektivë dhe zhvillim për qytetarët e Prizrenit.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli tha se askund më shumë se në Prizren nuk mund ta përqojnë mesazhin e përgjegjësisë së tyre për qytetarët dhe askush nuk i jep më shumë kuptim, se sa angazhimi për një jetë më të mirë dhe forcimin e sovranitetit të shtetit.

Kreu i PDK-së, tha se ata besojnë në shtetin dhe institucionet, e po ashtu në partnerët e shtetit, sepse janë forca e ndryshimit dhe fitores për Kosovën.

Veseli u tha gjithë kandidatëve për kryetar të komunave, dhe kandidatëve për asamble komunale, se nuk ka asgjë më sublime se sa t'iu shërbejnë qytetarëve, ndërsa premtoi se nuk do të lejojnë asnjëherë njerëz që shkelin ligjin të kenë pozita udhëheqëse, madje nuk do t’i lënë as në parti nëse shohin shkeljen më të vogël të ligjit. 

Veseli: Ne jemi forca e ndryshimit dhe forca e fitores për Kosovën

“Të mbledhur sot këtu në qytetin emblematik të Kosovës, si përfaqësues të zgjedhur nga PDK-ja, duam të përçojmë mesazhin e përbashkët të përgjegjësisë, reflektimit dhe vendosmërisë tonë se shteti ynë është i shenjt ashtu sikur edhe liria jonë. Sepse asgjë më shumë nuk i jep lirisë, sesa angazhimi dhe kontributi ynë për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët tanë. Për zhvillimin e vendit dhe fuqizimin e sovranitetit tonë shtetëror dhe se për këtë qëllim ne të gjithë së bashku, siç jemi mbledhur këtu anë e kënd Kosovës në të gjitha komunat tona, në çdo cep të vendit tonë do të punojmë fuqishëm, pa u ndalur me besimin tek Zoti, duke reflektuar dhe ndryshuar mbi sukseset, meritat dhe gabimet tona. Sepse ne jemi partia e lirisë, partia e veprimit, ne jemi forca e ndryshimit dhe forca e fitores për Kosovën”, theksoi  Veseli.

Veseli shtoi se Kosova ka nevojë për fabrika dhe punësimin e të rinjve, ndërsa pohoi, se Kosova do ta kalojë ankthin e papunësisë. Për t’i arritur këto, Veseli tha se ndryshimi fillon me komunën dhe qytetarin

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj tha se e ka gatishmërinë që të jap gjithçka për t’i prirë një misioni sfidues për fitoren e radhës në Prizren.

Totaj theksoi se do të jetë sovran në udhëheqjen e komunës me përgjegjësi morale, politike e ligjore. Ai tha se e vetmja alternativë për Prizrenin është PDK-ja, duke shtuar se ka vizionin për ta zhvilluar Prizrenin. Ai theksoi se misioni i tij është krijimi i kushteve për arsimim të gjeneratave të reja, një sistem arsimor me cilësi e transparencë dhe llogaridhënie. Ai siguroi se do të realizohen projektet infrastrukturore që plotësojnë nevojat e një qyteti dhe ekonomie moderne, duke rikthyer edhe linjën e hekurudhave. Po ashtu, ai tha se do të kujdesen për shërbime cilësore e të shpejta dhe furnizim me ujë 24 orë.

Totaj: Unë e kam gatishmërinë që të jap nga vetja gjithçka

“Sot para jush zotohemi se komunën tonë, familjen tonë, qytetarin tonë do ta mbrojmë dhe prezantojmë si vlerën më të shenjt njerëzore të individit. Unë e kam gatishmërinë që të jap nga vetja gjithçka, duke përfshirë tërë kapacitetin tim intelektual, njerëzore, profesional dhe moral për t’i prirë një misioni sfidues që më është besuar nga PDK-ja, për të udhëhequr garën drejt fitores së radhës në Komunën e Prizrenit. Unë si kryetar i ardhshëm i Komunës së Prizrenit, do të jem sovran me udhëheqjen e komunës me përgjegjësi të lartë ligjore, morale dhe politike. Alternativa e vetme qeverisëse në katër vitet e ardhshme, është Partia Demokratike e Kosovës dhe numri 94”, theksoi Totaj.

Ai tha se për ta zbutur papunësinë do të krijojnë fondin prej 2 milionë euro, ku do të përkrahen bizneset e vogla dhe të mesme. Totaj shtoi se ka program për fuqizimin e grave, të rinjve, sportin dhe përkrahja e parezervë për kulturën.

Totaj: Kam vizionin për të mbrojtur potencialin ekonomik dhe intelektual

“Andaj, unë si kryetar i Komunës së Prizrenit, me të rinjtë e komunës sonë do të punojmë së bashku për realizimin e shumë projekteve, të cilat do të ofrojnë mundësi të barabarta për secilin, shkollim cilësor në harmoni me kërkesat e tregut vendor dhe ndërkombëtar si dhe punësim. Të nderuar, unë në këto zgjedhje kam vizionin për të mbrojtur dhe avancuar potencialin ekonomik dhe intelektual të qytetit tonë. Unë do të jem një kryetar që i mbështes ndërmarrësit dhe bizneset. Do t’i vë në dispozicion burimet e komunës për të krijuar vende të reja të punës. Si një ekonomist, unë i kuptoj shumë mirë sfidat me të cilat bizneset në Prizren ballafaqohen, por edhe mundësit e reja për t’u zhvilluar. Prandaj, do të fokusohem për të larguar barrierat për zhvillimin ekonomik të qytetit tonë”, tha Totaj.

Kandidati i PDK-së u zotua se në vitin e parë të qeverisjes do ta funksionalizojë parkun e qytetit, kurse gjatët mandatit edhe zonën industriale.

Ndërsa, Valdete Idrizi kandidate për kryer të Mitrovicës, tha se me një qeverisje transparente dhe të përgjegjshme, do të arrijnë të ofrojnë shërbime më cilësore për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Idrizi: Me një qeverisje transparente do t’i përmbushim kërkesat e qytetarëve

“Ne udhëheqësit e  ardhshëm të komunave të Kosovës, jemi të vetëdijshëm që na presin sfida të mëdha dhe përgjegjësi të mëdha, definitivisht, sfidat të cilat ne do t’i kalojmë, jam shumë e sigurt, sepse ne më të vërtet jemi forca e ndryshimit. Me një qeverisje të hapur, transparente dhe të përgjegjshme, dhe me një platformë reale që i përmbush kërkesat e qytetarëve. Andaj, jam më se e sigurt se do të arrijmë që përmes shërbimeve sa më cilësore të shpejta, transparente për qytetarët, të arrijmë të përmirësojmë mirëqenien e tyre, duke ofruar mundësi të barabarta për të gjithë”, theksoi Idrizi. 

Në këtë fushatë parazgjedhore të pranishëm ishin edhe kandidatët e tjerë për kryetarë komunash nga ky subjekt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat