Panair për promovimin e prodhimeve vendore

Prizreni

Panair për promovimin e prodhimeve vendore

Më: 27 tetor 2017 Në ora: 15:33
Në Prizren për herë të katërt është hapur Panairi i bizneseve, i cili ka për qëllim promovimin e prodhimeve vendore.

Ndërsa ministri i Industrisë dhe Tregtisë, Bajram Hasani duke shprehur i bindur që ky organizim do të hap rrugë të reja për zhvillim ekonomik tha se ministria e tregtisë dhe industrisë së bashku me qeverinë e Kosovës është duke iu kushtuar vëmendje aktiviteteve që kanë synim përmirësimin e klimës së bizneseve dhe krijimin e vendeve të punës.

Hasani tha se me qëllim të mbrojtjes dhe fuqizimi të prodhimeve vendore ata janë duke shikuar mundësitë për të bërë disa plotësime dhe ndryshime ligjore në vitin 2018.

Hasani: Do bëjmë ndryshime ligjore

 "Jemi të interesuar shumë qe të fokusohemi edhe në fuqizimin e prodhimit vendor gjatë këtyre ditëve i kemi bërë disa hapa konkretë të cilët besoj që shumë shpejt bizneset do t'i ndjejnë. Jemi duke shqyrtuar mundësinë edhe projektimi e disa ligjeve për ndryshim, plotësimin e tyre që janë pengës për momentin që nuk mund ti zbatojmë apo të marrim masa konkrete për mbrojtjen e prodhimit vendor,  por iu siguroj që gjatë vitit 2018 do t’i bëjmë këto lehtësime, do t’i bëjmë këto plotësime të ligjit që na mundëson sa më shumë që ta mbrojmë dhe ta fuqizojmë prodhimin vendor" tha ai.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi tha se ngjarjet të cilat kanë synim promovimin e turizmit të vendit  të përkrahen nga Ministria që ai udhëheq.

Ndërkaq, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj tha se Ministria që ai drejton dhe Qeveria e Kosovës janë të përkushtuar që zhvillimi ekonomik të shkoj drejt sektorit privat i cili hap mundësi edhe për vende të reja të punës.

Sipas tij Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë fokus kryesor ka ndërtimin e kapaciteteve intelektuale, përkrahjen e ndërmarrësisë, idetë e reja inovative të të rinjve, etj.

 Ai po ashtu tha se vendimi i parë që do ta merr ka të bëjë me hapjen e fondit për ndërmarrësi në qytetin e Prizrenit.

Beqaj: Do të hapet fondi për ndërmarrësi

"Vendimi i parë im si ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të jetë hapja e Fondit për Inovacion dhe Ndërmarrësi dhe ky fond do ta fillojë aktivitetin e parë në Prizren duke hapur qendrën për Inovacion dhe Ndërrmarësi", tha Beqaj.

E nënkryetari i Prizrenit, Lulzim Kabashi tha se kjo ngjarje ka vendosur themele të shëndosha dhe të forta që stimulojnë zhvillimin ekonomik në Prizren dhe në Kosovë. Duke kërkuar mbështetje nga qeveria lokale dhe qendrore sepse qëllimi i këtij panairi është zhvillimin ekonomik dhe takimin e tregtarëve në mes tyre dhe shkëmbimin e përvoja të tyre që ndikojnë në zhvillim ekonomik.

Kabashi: Jam i sigurt që nuk do mungoj mbështetja qeveritare

"Unë jam i sigurt që mbështetja nga qeverisja lokale dhe ajo qendrore nuk do të mungoj, njëra prej qëllimeve tona kryesore në Prizren dhe në Kosovë është zhvillimi ekonomik dhe njëra prej aktiviteteve është pikërisht edhe biznes forumi i cili mundëson takimin dhe prezantimin e punës dhe prodhimin e shumë resurseve", tha ai.

Ndryshe i pranishëm në këtë panair ishte edhe përfaqësuesi nga Dhoma e Industrisë dhe Tregtisë së Tiranës, Nikolin Jaka duke përgëzuar për këtë panair i cili promovon prodhimet vendore tha se gjatë ditëve të kaluara janë takuar me përfaqësues të shoqërisë së bizneseve të Kosovës dhe kanë vendosur që të shoqërojnë më grupe punuese mbledhjet e përbashkëta në mes të dy shteteve.

Jaka: Me grupe punuese do shoqërohen mbledhjet e qeverive

“Për të shoqëruar tashmë më grupe pune të përbashkëta mbledhjen e qeverive Shqipëri- Kosovë, ky është realisht një lajm i mirë pasi që ne në Kosovë kemi të paktën tre ose katër mbledhje të përbashkëta të qeverive por të pa koordinuara me njëra tjetrën", tha ai.

Ndryshe në panairin "Business Forum Prizren" po marrin pjesë rreth 140 firma nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria, Bullgaria, Turqia, Italia, Norvegji, Belgjik, të cilët kanë prezantuar prodhime të ndryshe ushqimore, veshmbathje tradicionale etj.

Ky panair i cili po mbahet në Palestrën e Sporteve "Sezai Surroi", në Prizren do të zgjatë gjithsej 3 ditë përkatësisht deri më datën 29 tetor 2017.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat