Çka thotë për zgjedhjet dhe balotazhin në Prizren, Emilia Rexhepi

Prizreni

Çka thotë për zgjedhjet dhe balotazhin në Prizren, Emilia Rexhepi

Më: 2 nëntor 2017 Në ora: 16:09
Emilia Rexhepi

Kryetarja e partisë së komunitetit boshnjak, Emilia Rexhepi, flet për procesin e tërësishëm zgjedhor  në Prizren.  Sa është e kënaqur  ajo me rezultatin e arritur në garën për kryetar të Prizrenit, e cila ishte kandidate e vetme nga subjektet politike të këtij komuniteti ? Cilat janë prapaskenat e marrëveshjeve që mund të arrihen për raundin e dytë zgjedhor me 19 nëntor ? Rreth kësaj teme, ju ftojmë të ndiqni intervisten me deputeten dhe kryetaren e NDS-it, Emilia Rexhepi.

Si e vlerësoni procesin zgjedhor, ku ju keni qenë në garë për kryetare të komunës së Prizrenit ?

Unë kam qenë kandidat i vetëm nga partitë e komunitetit boshnjak në garë për kryetar të komunës nga partia NDS, ndërsa partia tjetër VAKAT ka mbështetur kandidatin e PDK-së. Më duhet t’i falënderoj të gjithë qytetarët që me votën e tyre më kanë mbështetur në këto zgjedhje, duke votuar për njeriun e tyre përkundër se të gjitha partitë shqiptare janë përzier në këtë proces në zonën e Zhupës,  Podgur e gjetiu duke blerë vota ku ka mbretëruar një kaos i vërtet. Por, mbi të gjitha nuk pati incidente, dhe jam e kënaqur me rezultatin duke grumbulluar mbi 3 mijë vota, që për mua është një sukses i madh duke pasur parasysh situatën që përmenda dhe pa mjete financiare. Me këtë rezultat do të arrijmë pazare politike për bashkësinë boshnjake dhe NDS-in siç është më së miri.  Tash ndodhemi në prag të raundit të dytë zgjedhur ku në garë janë kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj, dhe ai i LVV-së, Mytaher Haskuka, dhe se çfarë vendimi do të marrim ne si parti , pritet të shihet ditëve në vijim. Jemi në bisedime me kandidatin Haskuka, të cilin e kam mik të mirë, një prizrenas i respektuar, dhe gjithashtu jemi në kontakt të përhershëm me Zafir Berishën, dhe presim gjithashtu një takim zyrtar me PDK-në, parti kjo me të cilen kemi qenë në koalicion, por që nuk mund të thuhet se mund të jemi edhe në të ardhmen.

Po kush janë ato parti që kanë blerë vota në zonat që ju përmendet, dhe konkretisht si po vijojnë bisedat për koalicione ?

Po e dijnë ata të cilet kanë bërë një gjë të tillë, dhe nuk dua të flas për këtë. Do doja të flas për zhvillimet rreth koalicioneve paszgjedhore, dhe jam e befasuar me vendimin e LDK-së që ajo të mbetet neutrale , pasi që një gjë të tillë nuk e kemi pritur që ata të qëndrojnë ashtu mu tani, duke koketuar paradite me njërin e pasdite me të tjerët.Mendoj se nuk është korrekte dhe e ndershme mënyra e tillë nga ata, por ky është problem i tyre dhe mënyra se si ata bëjnë politikë, ndërsa se çfarë ne do të vendosim do të analizojmë si duhet gjërat . Do të flasim edhe me zotëri Shaqir Totajn, dhe do të shohim se çfarë vendimi do të marrim. Ajo çka është më e rëndësishme është se në Prizren duhet të ndodh diçka e re, që të ndryshohet statusi i deritanishëm dhe komuna mos të ngelet institucion privat i individit ose grupit të njerëzve,  të gjithë po presim ditë më të mira. Se kush do të jetë më i suksesshëm për t’i ndryshuar gjërat, Totaj apo Haskuka, na mbetet të shohim kujt do t’i besoj populli në balotazh…

Çfarë do të jetë vendimtare , që ju të përkrahni ndonjërin nga kandidatët për kryetar të Prizrenit me 19 nëntor ?

Ne do ta lëmë që deri në momentet e fundit që partitë shqiptare të arrijnë marrëveshje, kompromise dhe të shohim a janë ato të gatshme për të bërë ndryshime në qytetin e Prizrenit. Në momentet e fundit do t’i bashkohemi njërit apo tjetrit opsion, dhe më pas do të shohim realisht se çfarë vendimi na duhet të marrim. Shikoni. NDS gjithmonë ka vendosur fituesin këtu, dhe kjo gjë është dëshmuar me dy fitoret e fundit të Ramadan Mujës. Tani, nëse koalcioni VAKAT e ka kandidat të vetin , Shaqir Totajn, përse është rezultat i vogël për të në Zhupë dhe Podgur. Kush po bën lojë këtu. Ne nuk jemi të gatshëm për lojëra të tilla, dhe kur të përkrahim dikënd , atë do ta mbështesim deri në fund , dhe kjo përkrahje nuk bëhet për kandidatin por për vetë ne, për interesin tonë nacional , për interesa politike të një opsioni politik dhe para se gjithash për shkak të interesit të komunitetit boshnjak./tvprizreni

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat