Stadiumi i Prizrenit, vitin e ardhshëm do të jetë i gatshëm

Prizreni

Stadiumi i Prizrenit, vitin e ardhshëm do të jetë i gatshëm

Më: 14 nëntor 2017 Në ora: 17:33
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi në vizitë në komunën e Prizrenit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, sot ka vizituar komunën e Prizrenit, i cili ka inspektuar punimet në stadiumin e qytetit “Përparim Thaçi”, si dhe lokacionin ku do të ndërtohet stadiumi në Zhur.

Ministri Gashi tha se qëllimi i kësaj vizite nuk është vetëm inspektimi i punimeve në stadiumin e qytetit, por edhe të shihen nga afër nevojat dhe kërkesat e sportistëve të Komunës së Prizrenit si dhe gjetjen e mundësive për të realizuar edhe projektet tjera në fushën e sportit për Komunën e Prizrenit. Investimet në infrastrukturën sportive në Prizren do të kapin shumën rreth 3 milionë euro ndërsa në tërë vendin janë rreth 15 milionë euro për vitin 2018. 

Gashi: Vitin e ardhshëm stadiumi do të jetë i gatshëm

“Ne sot jemi këtu për të garantuar kryetarin Muja dhe klubin Iliria se MKRS do ta ketë në prioritet të veçantë këtë projekt dhe në kuadër të linjave tona buxhetore për vitin 2018 ne kemi planifikuar të ndajmë rreth 1 milionë euro, në mënyrë që në vitin 2018 ta përmbyllim këtë projekt për arsye se në këtë stadium duhet të zhvillohen lojërat  dhe garat kombëtare, prandaj, klubi futbollistik Liria dhe sportdashësit prizrenas do ta kenë në dispozicion këtë stadium vitin e ardhshëm. Krahas këtij projekti ne jemi duke investuar ndihmës në Boka”, deklaroi ministri Gashi.

Gjatë këtij takimi ministri Gashi u shoqërua edhe nga kryetari i komunës së Prizrenit Ramadan Muja me ç’rast biseduan rreth bashkëpunimit ndërmjet MKRS-së dhe Komunës së Prizrenit.

Kryetari i Prizrenit e falënderoi ministrin Gashi për vizitën e tij dhe për gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe investuar në krijimin dhe përmirësimin e kushteve në infrastrukturën sportive dhe për sportistët dhe të rinjtë e Komunës së Prizrenit.

Muja: Stadiumin do ta kemi të kompletuar në një afat të shkurtër

“Është kënaqësi për ne se punët janë duke ecur në ndërtimin e tribunave të stadiumit, ku dashamirët e sportit të futbollit do të kenë mundësi në mënyrën e më akomodues t’i përcjellin ndeshjet garuese që I zhvillon klubi Iliria me klubet tjera të futbollit të Kosovës. Komuna e Prizrenit është e interesuar që ta ketë të kompletuar këtë stadium të futbollit dhe këtë sigurisht se do ta kemi të kompletuar në një afat të shkurtër, meqenëse kemi përkrahje të madhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me pjesëmarrje për financimin e kompletimit të stadiumit”, deklaroi kryetari aktual Muja. 

Kryetari i Klubit Futbollistik Liria, Mirsad Çollaku ka thënë se pret që të përfundoi në afatin optimal projekti për stadiumin, i cili sipas tij, ka qenë moti i nevojshëm për klubin Iliria, si dhe për zhvillimin e sportit në përgjithësi të futbollit në regjionin e Prizrenit.

Çollaku: Stadiumi do të jetë për zhvillimin e futbollit në përgjithësi

“Tani jemi në fazën e ndërtimit të stadiumit i cili ka qenë kaherë i nevojshëm për klubin tonë si dhe për zhvillimin e sportit në përgjithësi të futbollit në regjionin e Prizrenit. Tani ky projekt që filloi nga komuna e Prizrenit sigurisht se do të përfundon edhe me ndihmën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në afatin optimal, i cili do të jetë i kënaqshëm për ne dhe për zhvillimin e futbollit në përgjithësi”, theksoi Çollaku.

Më pas, ministri Gashi ka vizituar edhe lokacionin e ndërtimit të stadiumit në Zhur, për të cilin MKRS-ja do marrë përsipër realizmin financiar të këtij projekti. Ky projekt do të realizohet sipas standardeve të kërkuara nga FFK-ja konform kategorisë së dytë të UEFA-së dhe FIFA-së.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat