Haskuka: Sot u vërtetua se prizreni nuk blihet me pare

Prizreni

Haskuka: Sot u vërtetua se prizreni nuk blihet me pare

Më: 26 nëntor 2017 Në ora: 17:18
Mytaher Haskuka

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka reaguar pas përfundimit të numërimit të votave me kusht, votave me postë dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Haskuka ka treguar momente nga dita kur ishte nisur për të votuar para saktësisht një jave.

Thotë se e kishin përshëndetur qytetarët në shqip, turqisht e boshnjakisht dhe se i kishin dhënë mbështetje edhe qytetarë të ardhur nga Zvicra enkas për ta votuar, si dhe një grua që ju hodh në përqafim, e që doli të jetë vajza e hallës, e cila kishte ardhur nga Stambolli vetëm për t’i dhënë votën atij.

Në balotazhin e 19 nëntorit, Mytaher Haskuka kishte rival kandidatin e PDK-së, Shaqir Totajn, të cilin, sipas rezultateve ende preliminare, e ka mposhtur me 262 vota epërsi.

Haskuka ka kujtuar “makinerinë e gënjeshtrave” që sipas tij e kontestonte fitoren e tij, “shkrimet e porositura e lajmet e rreme, deklarata me kërcënime, e fshehje të provave, vendime skandaloze”.

“Por, në fund provat u vërtetuan dhe drejtësia fitoi. Bashkë me fitoren e drejtësisë fitoi demokracia dhe me fitoren e saj fituan qytetarët”, ka theksuar ai.

“Ata votuan me zemër kundër frikës dhe kërcënimit, votuan me mendje kundër paragjykimit dhe përçarjes, votuan me mendje kundër korrupsionit. Sot u vërtetua se Prizreni nuk blihet me pare dhe se qytetarët kanë vendosur me Zemër për të ardhmen e tyre”, ka shtuar kandidati i Vetëvendosjes, i cili premtoi sërish qeverisje të hapur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat