Prokuroria nis hetimet për rrënimin e shtëpisë së familjes Myftiu

Prizreni

Prokuroria nis hetimet për rrënimin e shtëpisë së familjes Myftiu

Më: 21 dhjetor 2017 Në ora: 16:04
Shtëpia e familjes Myftiu

Prokuroria Themelore në Prizren pas reagimit dhe njoftimit publik nga Këshilli për Trashëgimi Kulturore i Qendrës Historike të Prizrenit, për rrënimin e shtëpisë së familjes Myftiu, e klasifikuar si Monument Historik nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), ka autorizuar Policinë e Kosovës, që të ndërmerr veprime hetimore për mbledhjen e provave lidhur me dyshimin për veprën penale, Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës dhe veprat tjera penale të mundshme kundër detyrës zyrtare.

Prokuroria Themelore në Prizren thotë se me qëllim për të ndaluar çdo ndërtim të kundërligjshëm të vërejtur kohëve të fundit në Qytetin e Prizrenit, dhe për të mbrojtur Trashëgiminë Kulturore të Qytetit të Prizrenit, me datë 15.05.2017 përmes Kërkesës PPN/I.Nr.103/17, ka kërkuar nga kryetari i Komunës së Prizrenit, drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Policia e Kosovës, Njësia e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, të ndërmerren urgjentisht, të gjitha masat e parapara ligjore nga Drejtoritë përkatëse të Komunës së Prizrenit, kundër të gjithë atyre që janë duke ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme si dhe kundër dëmtuesve të Trashëgimisë Kulturore në Qytetin e Prizrenit.

Prokuroria e Shtetit, në veçantia Prokuroria Themelore në Prizren është e përkushtuar dhe e vendosur në mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore të Qytetit të Prizrenit dhe i ftonë të gjithë qytetarët, organizatat dhe institucionet, që të bashkëpunojnë me Prokurorinë e Shtetit më qëllim të parandalimit dhe luftimit të kësaj dukuri negative.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat