KFOR-i gjerman e lë Prizrenin, infrastruktura i mbetet FSK-së - Bota Sot
KFOR-i gjerman e lë Prizrenin, infrastruktura i mbetet FSK-së

Prizreni

E mërkurë, 17 tetor 2018

KFOR-i gjerman e lë Prizrenin, infrastruktura i mbetet FSK-së

Më: 2 shkurt 2018 Në ora: 17:23
Prizren

Kontingjenti Gjerman i KFOR-it i ka dorëzuar Forcës së Sigurisë së Kosovës material të vlefshëm sanitar dhe pajisje të Kampit Fushor Gjerman në Prizren.

Gjeneral Brigade Ralf Hoffmann, drejtor i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s dhe njëkohësisht oficeri gjerman me gradën më të lartë ushtarake në Kosovë, së bashku me komandantin e Kontingjentit të 48-të Gjerman të KFOR-it, nënkolonel Hans Jürgen Elsen, i dorëzoi komandantit të FSK-së, Gjeneral Lejtnant Rrahman Rama, gjithsej 1260 artikuj furnizues.

“Dhënia falas e këtij materiali për pajisjen e spitalit të ardhshëm të FSK-së në Prishtinë është një shprehje e dukshme e marrëdhënieve të shkëlqyeshme në mes të Bundeswehr-it gjerman dhe forcave kosovare të sigurisë”, thuhet në një komunikatë të KFOR-it gjerman.

Republika Federale e Gjermanisë përkrah me këtë edhe më tutje zhvillimin e aftësive të FSK-së në konsolidimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon.

Në mesin e mysafirëve të lartë, që morën pjesë në ceremoninë e mbajtur në Kampin Fushor në Prizren, ishin edhe zëvendësministri i FSK-së Agim Çeku dhe shefi i Shtabit të KFOR-it, gjeneralbrigade Lawrence R. Powell.

Dorëzimi i materialit lidhet me transformimin e angazhimit gjerman në Kosovë dhe me pjesëmarrjen e mëtutjeshme të Bundeswehr-it në misionin e KFOR-it.

Për shkak të përmirësimit të gjendjes së sigurisë dhe pas harmonizimit me NATO-n, Gjermania deri në fund të 2018 zvogëlon numrin e trupave të saj në Kosovë.

Hapa qenësorë në këtë drejtim ishin dorëzimi i Kampit Fushor në Kodrën e Cviljenit tek Komuna e Prizrenit në vitin e kaluar dhe mbyllja e Spitalit Ushtarak në fillim të vitit.

Materiali sanitar ka një vëllim prej gjithsej 22 paletave. Ndër to gjendet edhe një kontejner industrial me pajisje për trajtime mjekësore. Këtu përfshihen katër shtretër modernë kirurgjikë për ekzaminim dhe dy llamba të çmueshme për ekzaminime mjekësore. Kësaj i shtohet edhe dorëzimi i materialit shpenzues dhe higjienik, si për shembull mjete për mbrojtje kundër insekteve dhe mjete dezinfektuese apo leukoplast dhe fasho të të gjitha llojeve.

Pos këtyre u dorëzuan pajisje të tjera mjekësore, si fjala bie Pulsoximeter, që përdoret në mjekësinë emergjente. Veç kësaj u dorëzuan pajisje të Kampit Fushor me një vëllim prej 75 metrash ngarkimi, që i bie rreth pesë kamionë.

Në këtë mes gjenden tavolina, karrige dhe dollapë si dhe mobile zyrash për pajisje të spitalit. Kampi Fushor në Prizren do të mbyllet deri në fund të 2018 dhe do t`i dorëzohet Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK-ut).

KFOR njofton se nga 2019, ushtarët gjermanë të Bundeswehr-it, do të shërbejnë vetëm në Kampin Film City, bazën e Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it në Prishtinë.

Prioritet i angazhimit të ardhshëm gjerman do të vazhdojë të jetë zhvillimi i aftësive të FSK-së.

“Bundeswehr-i me këtë jep edhe në të ardhmen një kontribut të domosdoshëm dhe të mirëseardhur për stabilitetin e Kosovës dhe sigurinë e popullatës së saj”, thuhet më tej në komunikatë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test