Testi PISA fillon në Prizren, ministri i Arsimit optimist për rezultate të mira

Prizreni

Testi PISA fillon në Prizren, ministri i Arsimit optimist për rezultate të mira

Më: 11 prill 2018 Në ora: 09:49
Bytyqi me rastin e vizitës së shkollës të mesme të ulët në Prizren, "Ibrahim Fehmiu", shkollë kjo e cila nuk i është nënshtruar testit PISA.

Me rastin e fillimit të testit PISA, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, është shprehur optimist se këtë herë nxënësit nga Kosova do të dalin me rezultate shumë më të mira se para tri vitesh.

Këto komente ministri Bytyqi i bëri me rastin e vizitës së shkollës të mesme të ulët në Prizren, "Ibrahim Fehmiu", shkollë kjo e cila nuk i është nënshtruar testit PISA.

Ky test në këtë komunë do të zhvillohet në 4 ditë, testit gjithsej do t'i nënshtrohen 462 nxënës.

Ndërsa për të ardhur deri te kjo ditë, ministri i Arsimit tha se është dashur një angazhim dhe përkushtim shumë i madh.

Bytyqi: Është kuptuar rëndësia e testit, besoj se do të dalim shumë më mirë

"Ne kemi arritur që me një mobilizim të përgjithshëm duke i kontaktuar të gjithë shkollat, mësimdhënësit e nxënësit,  kanë arritur që ta kuptojnë rëndësinë e testit PISA. Kanë marrë i formacionet e duhura, e kuptojnë rëndësinë, gjë që ka munguar në vitin 2015. Dhe ky angazhim më bën të besoj që do të dalim shumë më mirë në testin PISA", tha ai.

Bytyqi tha se askush përveç koordinatorëve nuk mund të jetë prezent në shkollat në të cilat është duke u mbajtur testi.

Bytyqi: Rregullorja e PISA-s nuk e lejon një gjë të tillë

"Sipas rregullave të testit PISA nuk lejohet. Për këtë arsye ne kemi zgjedhur një shkollë tjetër dhe të tregojmë që ne kemi qenë vazhdimisht të kujdesshëm që të bëhet një punë e mirë në teren. Mirëpo për shkak të rregullave nuk mund të jemi në shkollën ku do të mbahet testi", shpjegoi ministri.

Edhe kryetari i komës së Prizenit, Mytaher Haskuka shpreson se testi i këtij viti të ketë rezultate më të mira.

Sipas tij, rezultatet e vitit 2015, kanë shërbyer për të evidentuar dhe rregulluar dobësitë e sistemit.

Haskuka: Rezultatet e kaluara do të na ndihmojnë në rregullimin e gjendjes

"Rezultatet e herës së kaluar mendoj që kanë treguar dobësitë e sistemit dhe mendoj që do të na ndihmojë në rregullimin e gjendjes. Ne si komunë do të punojmë në përmirësimin e arsimit, sidomos në përmirësimin e kushteve dhe në selektimin më të mirë dhe në vlerësimin më të mirë të stafit brenda sistemit. Besoj që cilësia do të ngritet gradualisht por duhet që sistemi arsimor në Kosovë të kthehet në atë që të mos kemi nxënës që memorizojnë tekste, por të kemi nxënës që mësojnë logjikshëm dhe kuptojnë atë që lexojnë", tha Haskuka.

Drejtori për Kulturë dhe Arsim në Prizren, Skender Susuri, ka shpjeguar mbarëvajtjen e procesit të testimit.

Susuri: Testi zgjatë diku rreth tri orë

"Ato janë rregulla të përcaktuara. Fillimisht është një orë, pastaj pas një ore është 5 minuta pushim për të vazhduar në orën tjetër. Pas orës së dytë është pauza 30 minuta ku nxënësit do të marrin pushimin dhe pastaj është një pyetësor i cili zgjatë 35-45 minuta. Do të thitë në total prej 3 orë... Testi në Prizren mbahet me katër data, sot, nesër, pasnesër dhe me datën 23", bëri të ditur ai.

Ministri i Arsimit dhe kryetari i Komunës së Prizrenit gjatë ditës vizituan edhe shkollën “Mati Logoreci”. Në vazhdën e takimeve, ministri Bytyqi vizitoi edhe Universitetin e Prizrenit ku u takua me rektorin Ramë Vataj.

Testi ndërkombëtar Pisa fillon sot në Kosovë 

Testi ndërkombëtar PISA fillon sot në Kosovë, i cili do të mbahet deri më 5 maj, ku në këtë testim do të marrin pjesë 5 mijë e 370 nxënës nga 211 shkolla nga e gjithë Kosova.

Testi fillon në komunën e Prizrenit për të vazhduar në të gjitha komunat e tjera. Ministri Bytyqi, i bëri thirrje Sindikatës së Arsimit për të mos filluar grevën e paralajmëruar, në mënyrë që të mos ndërpritet ky proces.

Sipas rregullave të organizimit të testit ndërkombëtar PISA, nuk lejohet të bëhen publike emrat e shkollave dhe nxënësve që i nënshtrohen këtij testi. Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, tha se për këtë vit është bërë një përgatitje shumë e mirë, ku secili nxënës e di peshën dhe rëndësinë e testit PISA. Me këtë rast, ai i bëri thirrje edhe Sindikatës së Arsimit që të mos fillojë grevën, për të mos e dëmtuar këtë proces.

“Sot nxënësit tanë e dinë saktësisht se nuk janë duke u futur në testin PISA për vetveten, por për shtetin e Kosovës. Kemi kërkuar që të mos dëmtohet ky proces sepse është një proces i jashtëzakonshëm. Normalisht kemi edhe testin e maturës, që po ashtu greva mund ta dëmtojë.”

Ministri Bytyqi tha se janë përpjekur vazhdimisht që Ligji për punëtorët e arsimit të viteve ’90-ta të procedohet sa më shpejt në Kuvend, por siç tha ka implikime buxhetore.

“E kemi informuar SBAShK-un që edhe në pjesën e shpenzimeve afatmesme është planifikuar që të kemi buxhet për Ligjin e arsimit shqip të viteve ’90-ta. Kemi kërkuar mirëkuptim që Qeveria është duke punuar, është duke gjetur masa sa më të shpejta që ligji të shkojë në Parlament.”

Ministri i Arsimit, u shpreh optimist se gjatë kësaj jave do të gjendet një zgjidhje për të mos filluar grevat.

Ndërkohë, nga ana tjetër, Sindikata është shprehur e vendosur se nëse Ligji nuk shkon në Kuvend para datës 13, atëherë grevat do të fillojnë në një afat të pacaktuar. Sindikalistët thonë se për dëmtimin e testit PISA dhe maturën, duhet ta mbajë përgjegjësi Qeveria.

Për testin PISA, Ministria e Arsimit pat formuar një komision, i cili me planin dinamik organizoi mbajtjen e dy testeve pilot në të gjitha shkollat e Kosovës.

Përgatitjet u bënë me qëllim ngritjen e vetëdijes së nxënësve dhe mësimdhënësve për rëndësinë e testit PISA. Ky test sivjet organizohet në mënyrë digjitale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat