Varroset me nderime të larta ushtarake komandanti i FSK-së - Bota Sot
Varroset me nderime të larta ushtarake komandanti i FSK-së

Prizreni

Varroset me nderime të larta ushtarake komandanti i FSK-së

Më: 16 korrik 2018 Në ora: 17:50
Në Landovicë të Prizrenit u varros me nderime të larta ushtarake kapiten Sejdi Krasniqi, komandant i Kompanisë së Deminimit të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të FSK-së.

Sot në Landovicë të Prizrenit u varros me nderime të larta ushtarake kapiten Sejdi Krasniqi, komandant i Kompanisë së Deminimit të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të FSK-së, i cili të dielën, pas një sëmundje të rëndë ndërroi jetë.

Nga ora 10:00-1100, në kazermën e FSK-së në Prizren, u bënë homazhe, ndërsa nga ora 12: 00, në Shtëpinë e Kulturës në Prizren, në nderim të kapitenit Krasniqi u mbajt akademi përkujtimore, ndërsa në orën 13:30 ka filluar ceremonia e varrimit në varrezat e dëshmorëve në Landovicë.

Në akademinë përkujtimore ku ishin ardhur shumë personaliteti shtetërore, politike, ushtarake dhe qytetarë të shumtë, në emër të FSK-së, foli komandanti i Komandës së Forcave Tokësore gjeneral brigade Enver Cikaqi.

Ai u shprehu ngushëllimet familjes, pjesëtarëve të FSK-së, shokëve dhe kolegëve dhe më pas, foli për jetën dhe veprën e kapiten Krasniqit.

Cikaqi tha se Sejdi Krasniqi ka ofruar shumë në shërbim të vendit, FSK-së, andaj sot e kujtojmë si ushtarë e mbrojtës të Lirisë, mik të veçantë, humanist e i palodhur në shërbim të vendit tonë.

 Në këtë akademi u lexua edhe telegrami i ngushëllimit i dërguar familjes Krasniqi nga Ministri i FSK-së Rrustem Berisha

“E nderuar familje Krasniqi,

Me keqardhje të thellë e mora lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të kapiten Sejdi Krasniqit, komandant i Njësisë së Deminimit të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këto momente të dhembjes e të pikëllimit më lejoni t’jua përcjellë ngushëllimet e mia të thella, në emrin tim personal dhe në emër të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ai, do të kujtohet përherë për kontributin e tij të madh në luftën për liri të vendit, por edhe për kontributin e jashtëzakonshëm në misionin e tij për ta bërë Kosovën një vend më të sigurt për të jetuar.

Andaj, duke ruajtur kujtimin dhe respektin e përhershëm për Kapiten Sejdi Krasniqin dhe mbarë familjen e respektuar, më lejoni që edhe një herë të ndaj dhimbjen me të gjithë ju”.

Ndërsa, në emër të veteranëve të luftës të Prizrenit, foli sekretari i Organizatës së veteranëve të Luftës së UÇK-së, Isa Berisha.

Kurse për jetën dhe veprimtarinë e kapiten Sejdi Krasniqit në emër të qytetit të Prizrenit foli kryetari i Komunës së Prizrenit zotëri Mytaher Haskuka.

Në emër të familjes të gjithë të pranishmit i ka falënderuar Arbnor Sejdi Krasniqi.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test