Prokuroria interviston Mytaher Haskukën dhe Shaqir Totajn - Bota Sot
Prokuroria interviston Mytaher Haskukën dhe Shaqir Totajn

Prizreni

E premte, 19 tetor 2018

Prokuroria interviston Mytaher Haskukën dhe Shaqir Totajn

Më: 8 gusht 2018 Në ora: 13:22
Mytaher Haskuka dhe Shaqir Totaj

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës, Shaqir Totaj,  janë intervistuar nga Prokuroria Themelore në Prizren.

“Prokuroria ka intervistuar të pandehurin Sh.T. dhe të dëmtuarin M.H. në çështjen penale të nxitjes së urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, konfirmoi prokurori Petrit Kryeziu.

Sipas tij, rasti është në fazën e hetimeve.

“Jemi në mbledhjen edhe të provave tjera eventuale që mund të jenë relevante për rastin në fjalë”, tha Kryeziu.

Prokuroria Themelore në Prizren, ka nxjerrë një aktvendim për të filluar hetimet ndaj ish-kandidatit të PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, për gjuhën e përdorur gjatë fushatës zgjedhore vitin e kaluar kundër kandidatit të VV-së, Mytaher Haskuka.

Totaj (PDK) e Haskuka (VV), në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar kanë qenë kandidatë për kryetar të Prizrenit.

Lëvizja Vetëvendosje! në tetor të vitit të kaluar pati, dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prizren kallëzimin penal kundër Shaqir Totaj.

Kallëzimi penal ishte bërë për gjuhën e përdorur gjatë fushatës nga Totaj.

Vetëvendosje! në atë kohë publikoi një audio-incizim që pretendonte se dëgjohet kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, teksa thotë se “ka ardhur koha që qytetin e Prizrenit mos me ja lonë në dorë njerëzve që s’dinë me fol shqip”, duke iu referuar Mytaher Haskukës, kandidatit të VV-së për kryetar të Prizrenit.

Po ashtu, në të njëjtin audio-incizim, sipas degës së VV-së në Prizren, dëgjohet Shaqir Totaj teksa flet me nënçmim për komunitetin turk.

“A mendon se dikush tjetër, turqelia që s’din me fol shqip, ka me ardh me ta rregullu çështjen e ujit e t’rrymës?”, dëgjohet teksa thotë Totaj në një prononcim tjetër, i cili, sipas LVV-së, është bërë në një tubim parazgjedhor në Has.

“Aludimi është i qartë, ai shpif për kandidatin e LVV në Prizren, z. Mytaher Haskuka, gjoja nuk është shqiptar. Pos shpifjes, mesazh i tij shpërfaq një gjuhë të padëgjuar të urrejtjes, gjuhë përçarëse dhe fashiste. Këto incizime na kanë sjellë qytetarët tanë të cilët kanë qenë tejet të frustuar nga një gjuhë e tillë fashiste e përçarëse”.

Ndërkaq, lënda është mbyllur nga Gjykata Themelore në Prizren.

“Padia e paditësit Lëvizja Vetëvendosje-Prizren e parashtruar kundër Shaqir Totajt nga Prizreni është tërhequr”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren,  të siguruar nga  “PrizrenPress”.

Vetëvendosje! pas fitores së Haskukës, nuk është marrë me padinë e ngritur kundër Totajt.

Ajo nuk i është përgjigjur as kërkesës së Gjykatës që të plotësojë e përmisojë padinë.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj pati thënë se në shkresat e lëndës ekziston konstatimi (fletë- dërgesa), se paditësi e ka pranuar kërkesën e gjykatës për përmirësimin dhe plotësimin e padisë.

“Paditësi nuk është përgjigjur në kërkesën e gjykatës, në kohën e paraparë me ligj, prandaj edhe gjykata ka marrë aktvendim që kjo çështje kontestimore është e tërhequr”.

Pavarësisht këtij aktvendimi, Prokuroria Themelore në Prizren, ka nisur hetimin e këtij rasti.

Prokurorit, Petrit Kryeziu tha se hetimet kanë filluar pas analizës së lëndës.

“Prokurori i çështjes, pranë Departamentit të Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, me plotë përgjegjësi dhe profesionalizëm e ka analizuar lëndën dhe ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve në këtë çështje penale”, tha Kryeziu.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, gjatë fushatës zgjedhore, arsyetohej se fjalimi i tij në Has , ishte nxjerrë nga kontesti.

Ai, padinë e Vetëvendosjes e vlerësonte politike.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test