Prizreni bëhet me shtëpi për persona me aftësi të kufizuara mendore - Bota Sot
Prizreni bëhet me shtëpi për persona me aftësi të kufizuara mendore

Prizreni

Prizreni bëhet me shtëpi për persona me aftësi të kufizuara mendore

Më: 15 gusht 2018 Në ora: 17:23
Skender Reçica dhe Mytaher Haskuka

Grupet e cenueshme që i duhet mbështetje institucionale tani e tutje do ta kenë mbështetjen nga shteti.

Kështu u tha pas nënshkrimit të memorandum mirëkuptimit për ndërtimin e Shtëpisë së komunitetit për persona me aftësi të kufizuara mendore, mes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komunës së Prizrenit.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, tha se kjo marrëveshje shpërfaq interesimin serioz të ministrisë për përmirësimin e mirëqenies për të gjithë qytetarët pa dallim.

Ai u shpreh se kjo është në mandat të ministrisë në bazë të Strategjisë Sektoriale 2018-22, ndërkohë që shërbimet e kësaj qendre mund t'i gëzojnë 15 qytetarë.

Reçica: Marrëveshja në bazë të Strategjisë Sektoriale 2018-2022 

“Ne sapo nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi mes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komunës së Prizrenit, për ndërtimin e qendrës për strehim rezidencial të qytetarëve me aftësi të kufizuar. Është kjo marrëveshje , e cila shpërfaq interesimin serioz të ministrisë për përmirësimin e mirëqenies dhe kushteve të të gjithë qytetarëve pa dallim në Republikën e Kosovës, në këtë rast personat me aftësi të kufizuar. Është në mandatin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në bazë edhe të Strategjisë Sektoriale 2018-2022, që ne të kujdesemi për të gjithë qytetarët me qëllim përmirësimin e mirëqenies së tyre. Marrëveshja e sotme konsiston në ndërtimin e një qendre rezidenciale në bashkëfinancim me komunën e Prizrenit me vlerë 150 mijë euro nga ministria e Punës, 50 mijë euro nga Komuna e Prizrenit, në qendër ku do të ofrohet shërbim 24 orë për qytetarët me aftësi të kufizuar”, tha ai.

Ndërsa kryetari i komunës, Mytaher Haskuka, tha se me ndërtimin e kësaj qendre do të ketë qasje shumë më të lehtë dhe humane për këtë kategori.

Haskuka: Me ndërtimin e shtëpisë shpresohet në qasje më të lehtë te këta persona:

“Grupet e cenueshme, të cilëve iu vyen ndihma institucionale, ne kemi pas mungesë të objektit. Në këtë aspekt nuk kemi mund të ofrojmë shërbime të tilla. Shpresoj se me ndërtimin e kësaj shtëpie dhe me rregullimin e çështjes së këtyre shtëpive për komunitet, pra do të kemi qasje shumë më të mira dhe shumë më humane ndaj këtyre personave, të cilëve iu duhet ndihma institucionale. Unë edhe njëherë e falënderoj ministrin për gatishmërinë dhe përkushtimin që me bë këtë marrëveshje, dhe tani e tutje mbetet implementimi i projektit dhe me pas një shtëpi me komunitet sa më herët ngase komuna e Prizrenit ka nevojë shumë për këtë institucion dhe për t’iu ndihmuar kategorive, të cilëve i duhet ndihma qytetare”, tha ai.

Ndryshe, ndërtimi i qendrës fillon brenda këtij viti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test