EC Ma Ndryshe akuzon Drejtorinë e Urbanizmit në Prizren për mos transparencë - Bota Sot
EC Ma Ndryshe akuzon Drejtorinë e Urbanizmit në Prizren për mos transparencë

Prizreni

E enjte, 15 nëntor 2018

EC Ma Ndryshe akuzon Drejtorinë e Urbanizmit në Prizren për mos transparencë

Më: 22 gusht 2018 Në ora: 13:54
Drejtoria e Urbanizmit në Prizren

Mungesa e transparencës dhe vonesa e përgjigjeve brenda afateve kohore nga ana e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit, ka shtyrë organizatën EC Ma Ndryshe që të drejtojë një sërë kritikash në drejtim të kësaj drejtorie.

Në fakt janë dy raste specifike për të cilat EC-i nuk ka marrë fare përgjigje, praktika këto që lënë hapësirë për dyshime në përkushtimin për rritjen e transparencës në punën e kësaj drejtorie.

Në rastin e parë EC ka kërkuar informata nga DUPH-ja lidhur me rishikimin e kushteve të lejes për një ndërtesë në Qendrën Historike të Prizrenit. EC më datë 3 gusht 2018 ka kërkuar informata lidhur me këtë rishikim, por ende nuk ka pranuar asnjë përgjigje.

Në rastin e dytë EC ka kërkuar informata zyrtare nga DUPH-ja lidhur me Planin Rregullues në zonën afër “Euro Center” si dhe sqarime për kushtet dhe lejen ndërtimore për një ndërtesë shumë banesore. Kërkesa është dërguar edhe më 11 qershor 2018, por DUPH-ja nuk ka ofruar përgjigje brenda afateve ligjore.

Përkundër faktit që qeverisja e re komunale ka premtuar transparencë radikale, këto raste tregojnë se nuk ka përpjekje të mjaftueshme në këtë drejtim.

EC Ma Ndryshe rekomandon Drejtorinë e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor që të zbatojë  në përpikëri dispozitat e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, duke zbatuar praktika që e rrisin nivelin e transparencës dhe duke eliminuar vonesat në ofrimin e përgjigjeve lidhur me kërkesat për qasje në dokumente publike dhe informata zyrtare.

Ndryshe, sipas “Indeksit të Reformës së Transparencës Komunale”, Komuna e Prizrenit vite me radhë vlerësohet me notë negative, veçanërisht indikatorët që kanë të bëjnë me planifikimin urban dhe monitorimin e projekteve urbanistike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test