Banorët e Zhupës së Prizrenit me infrastrukturë të re energjetike - Bota Sot
Banorët e Zhupës së Prizrenit me infrastrukturë të re energjetike

Prizreni

E mërkurë, 24 tetor 2018

Banorët e Zhupës së Prizrenit me infrastrukturë të re energjetike

Më: 28 shtator 2018 Në ora: 12:23
Zhupë e Prizrenit

KEDS ka përfunduar projektin e ndërtimit të Largpërçuesit 10 kV (LP 10 kV) në krahinën e Zhupës së Prizrenit. Përfitues janë fshatrat Reçan, Llokvicë, Lubinjë e Poshtme, Lubinjë e Epërme, të shtrira në një terren kodrinor-malor në pjesën juglindore të Prizrenit.

Falë këtij investimi në tension të lartë, mijëra banorë të asaj ane tash kanë një infrastrukturë krejtësisht të re energjetike. Ky investim është realizuar sipas MasterPlanit të përpiluar nga KEDS.

Pos lokaliteteve të mësipërme, nga ndërtimi i largpërçuesit të ri dhe stabilimenteve shpërndarëse gjithashtu kanë përfituar edhe fshatrat Nebrogosht dhe Manastiricë, ku është bërë  ndarja e LP 10kV në katër segmente që mundëson ndarje seleksionuese për evitimin e prishjeve.

Në këto lokalitete kryesisht jetojnë banorët e komunitetit boshnjak. Ata thonë se që 50 vjet nuk kishin pasur ndonjë investim serioz energjetik në këto anë dhe gjendja ka qenë tepër e rëndë.   

Rrjeti i vjetër energjetik, prishjet e shpeshta kanë qenë shkak i ndërtimit të rrjetit të ri 10kV.

Në pjesën brenda fshatit në Lubinjë të Poshtme është vendosur edhe rrjet nëntokësor.

Ky fshat që numëron rreth 3000  banorë, të cilët kryesisht merren me ndërtimtari, kanë qenë në hall të madh dhe secila shtëpi ka përdorur stabilizatorë.

Kryetari i fshatit, Abdyl Bilibani, thotë se tash janë të kënaqur me këtë investim që ka bërë KEDS.

“Jemi tepër të kënaqur dhe nuk kemi ndërprerje të rrymës si përpara. Është larguar edhe rreziku. I gjithë fshati tani ka tension stabil dhe i kanë hequr nga përdorimi stabilizatorët. Falënderojmë KEDS-in për këtë projekt”, thotë Bilibani.       

Gjatë implementimit të këtij projekti janë vendosur shtylla të reja të tipeve të ndryshme, kabllo ABC, përçues të rinj dhe kabllo nëntokësore.

Edhe për 650 shtëpitë e Lubinjës së Epërme do të ketë ndryshime të dukshme energjetike. Këtu janë vendosur kabllo bistekë 10kV të izoluara. Për pensionistin Ramadan Ademi, banor i fshatit, investimi i KEDS-it ka qenë më se i nevojshëm.

“Shumë keq e kena pas rrymën, katastrofë. Shyqyr që u rregullu dhe tash jena të kënaqun. Për KEDS-in kemi falenderime të panumërta”, ka përfunduar Ademi.  

KEDS është i përkushtuar të vazhdojë këtë lloj investimi për të përmbushur nevojat e konsumatorëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test