Trashëgimia e artit parahistorik pikturimet „Mrizit e Kobajës“ të lëna nënë mëshirën e natyrës dhe në pritje të mbrojtjes së shtetit

Prizreni

Trashëgimia e artit parahistorik pikturimet „Mrizit e Kobajës“ të lëna nënë mëshirën e natyrës dhe në pritje të mbrojtjes së shtetit

Nga: Haki Latifi Më: 31 tetor 2018 Në ora: 18:54
Trashëgimia e artit parahistorik pikturimet „Mrizit e Kobajës"

Këtë shkrim e nisa i nxitur nga tezaku im, Izet Alush Izet Alush Osmanaj nga Katundi Kobaj i Prizrenit, i cili është edhe Drejtor i Njësisë Pyjore për Regjionin e Prizrenit. Ai, më 27.10.18, duke ditur vlerat e kësaj trashëgemie, kishte publikuar, (postuar)disa foto në Facebook për këtë pikturim parahistorik të „Mrizit e Kobajës“. Sipas Arkeologëve, bëhet fjalë për pikturimin shkëmbor i pari i këtij lloji, i cili përmban një numër të madh të spiraleve, llojesh dhe pozitash të ndryshme, dhe një dre.

Pikturimet tek „Mrizit e Kobajës“, tregojnë se, në këtë lokalitetet të shenjtë, i cili gjendet tek hijerorja e Mrizit të Kobajës(rreth 6-7 km nga Prizreni), datojnë dhe është shfrytëzuar që nga epoka e neolitit dhe gjatë epokës së bronzit e më tej. 

Janë vlera të veçanta, të trashëgimisë së artit parahistorik, ndërsa tani e lënë nënë mëshirën e natyrës dhe e cila pret mbrojtjen e shtetit. 
Për fat të keq me miliona euro vijnë dhe shpenzohen në emër të trashëgimisë kulturore të Kosovës, por nuk investohet aty ku duhet dhe në vende me vlera të veçanta.

Këto vlera të trashëgëmisë kulturore dhe dëshmitë e tjera i përmend edhe Arkeologia z. Edi Shukriu, në revistën «Studime» të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të vitit 2012, ku kishte publikuar punimin me titull «Arti parahistorik shkëmbor i Vlashnjës – spiralet dhe dreri», flasin edhe për prezencën e qiell-vështruesve parahistorik dhe për konceptet mbi ciklin e jetës në këtë hapsirë të qytetrimit të herëshëm.

Për fat të keq, Kosova e pasluftës e mbushur me “ekspertë” të trashëgimisë kulturore në vrap pas donacioneve, që kishte dhe ka ende, si pasojë e mosdijës së tyre, që udhëhiqen nga intrigat, janë duke mbyllur gati të gjitha rrugët për të tjerët, të kuadrove me përgaditje profesionale dhe të mirëfillt.
Këtë trashëgimi kulturore dhe historike e kanë për obligim që t’i promovojnë dhe të merren me konzervimin dhe të vihen në mbrojtjen e shtetit të këtyre vlerave të rralla, që nënkupton përfshirjen në proces të gjithë aktorëve, që nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Qeveria, Komuna e Prizrenit, Akademia e shkencave e deri te qytetari. Kjo thirrje ndoshta do të bie në vesh edhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, e në veçanti z.Kujtim Gashit, ku kjo trashëgimi kulturore gjendet 5-6 kilometra nga vendlindja e tij.

Edhe një lutje dashamirëse për qytetarët e thjesht anë e kënd trojeve shqiptare, që me mjetët e tyre që kanë në dispozicion të postojnë pra fotografi nga e ku e sa të mundeni në mënyrë që këtë pasuri që ka mbetur pa zot dhe sa është ende pa u vjedhur e tjetërsuar, apo në mos më keq pa u shkatërruar e asgjësuar. Nëse nuk kanë mundësi që ti botojnë ashtu sikurse u ka hije të jenë, të paktën të jetë të ruajtura në strehën arkivistike të Mark Zuckerberg-ut në Facebook apo edhe në Twitter a Instagram a diku tjetër. Përfundimisht pa lënë gjurmë, më e pakta që mund të bëjmë është t’a kemi të ruajtur si provë dëshmitare se ka ekzistuar më një herë e një kohë në ndonjë fotografi, sepse nuk jemi të sigurt për asgjë çfarë po bëhet me to më pas, sepse kushedi se çfarë ndodh nesër, ndaj përpara se të jetë tepër vonë, bëjeni këtë Ju lutem! 

Bëjeni këtë si shërbim vullnetar dhe qytetar njëherësh për historinë dhe trashëgiminë e popullit e kombit tonë, në mënyrë që brezat që vijnë të kenë se çfarë të mësojnë për historinë e popullit të tyre.

Kush nuk e kupton këtë sot, nesër do të ndihet përgjegjës dhe i zënë në faj përballë fëmijëve, nipërve dhe mbesave të tij. Kush nuk e kupton këtë sot, nuk do të mbërrijë të justifikojë e të bindë askënd nesër për atë që ishim e që atëherë do të mungojë e nuk do të gjendet mbase kurrë më. Kush nuk e kupton dot sot këtë, do të pendohet nesër për detyrën që i’u dha mundësia ta kryejë e që nuk bëri ashtu sikurse duhej, edhe pse me një kosto krejt të vogël. E di sepse shumë prej jush do të mendojnë se me këtë lloj pune falas, do të ushqejnë e justifikojnë vendet e punës së qindra e mijëra rrogëtarë injorantë të administratës publike që jetojnë me thonj të mbërthyer në financat e lodhura të kësaj trashëgimie anë e kënd vendit.

Sepse, trashëgimia jonë kulturore, shumë e pasur për përmasat e vendit tonë, është dëshmi elokuente e një të shkuare që ka prodhuar kaq shumë histori në këto troje. Është pasuria më e vyer që brezat i lënë një vendi. Ajo është pasaporta e identifikimit të vendit tonë, kur dihet se, sot turizmi ka marrë përmasa të pa parashikushme, po rritet edhe ajo pjesë e tij që quhet turizmi kulturor. Mendoj se do të duhet shumë punë që njerëzit të kuptojnë se turizmi është pothuajse aseti kryesor, që do të sjellë zhvillim në këtë zonë të bukur turistike.

Trashëgimia kulturore është e duhet të jetë hipoteka e shpirtit për gjithsecilin prej nesh e posaçërisht për intelektualin, ndaj kjo është një ftesë, një thirrje, një piskamë shpirti që ka për tagër të vetëm kujtesën, pasurinë kombëtare që na e lanë të parët, së cilës duhet t’i falemi të gjithë në shqimin e zemrës pa kurrëfarë interesi. 

Le të punojmë sot që të mos pendohemi në mot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat