Haradinaj: Park Inovativ në Prizren nga janar do të jetë funksional

Prizreni

Haradinaj: Park Inovativ në Prizren nga janar do të jetë funksional

Më: 5 nëntor 2018 Në ora: 13:08
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj me kabinetin e tij qeverisës gjatë ditës së sotme ka vizituar kampin ushtarak të kontingjentit gjerman të KFOR-it, tashmë Park Inovativ dhe Trajnues nga Kosova dhe Gjermania.

Fillimisht kreu i ekzekutivit i shoqërua nga komandanti i kontigjentit gjerman të KFOR-it, Eric Offmann kanë vizituar një shtëpizë roje përmes  së cilës do të kujtohen gjithmonë rreth 50 mijë ushtarë që kontribuan gjatë mision të tyre ushtarak në Kosovë.

Gjatë kësaj vizite u bë e ditur se Ministria e Mbrojtës së Gjermanisë do t’i dhurojë zhvillimit të këtij parku inovativ vegla pune me vlerë 2 milionë euro.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas vizitës që i bëri hapësirave të kampit ushtarak gjerman u shpreh se shteti gjerman po i ofron Kosovës një infrastrukturë të gatshme  për zhvillimin e parkut, derisa lajm të mirë e ka konsideruar donacionin gjerman.

Kreu i ekzekutivit i siguroi të gjithë se nga janari i vitit të ardhshëm ky kamp do të mbushet me plotë aktivitete trajnuese.

Haradinaj: Nga janari do jemi funksional

 "Faleminderit për përkrahjen që i kanë dhënë Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve jetës tonë dhe së fundi edhe për donacionin për FSK-në për mjete të motorizuara, shumica prej tyre të reja edhe të gjitha në gjendje të mirë .... I siguroj të gjithë që nuk kemi me dështuar, në janar ne do të jemi funksional këtu dhe jam i bindur që në vitin që vjen në këtë kohë, në këtë kamp do të ketë plotë aktivitet trajnues inovativ dhe pune, e aftësues të të rinjve tanë", u shpreh Haradinaj.

Ai po ashtu u shpreh se parku inovativ është në partneritet kosovaro- gjerman, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që në këtë hapësirë të investojnë edhe partnerë tjerë.

Shefi i Qeverisë tha se në këtë kamp do të sjellin një qendër të re trajnuese, por në këto hapësira nuk do të vendoset asnjë institucion i mëhershëm ashtu siç është përfolur se do jetë Universiteti i Prizrenit.

Komandanti i kontigjentit të KFOR-it gjerman në Kosovë, Eric Offermann tha se në muajt e ardhshëm mbi 40 hektarë të këtij kampi ushtarak do t’i dorëzohen Qeverisë së Kosovës.

Sipas tij, për 19 vite sa kanë shërbyer si mision në Kosovë, qeveria gjermane ka investuar në kampin ushtarak në Prizren rreth 40 milionë euro.

E në vazhdën e investimeve, komandanti Offermann njoftoi se ministria e mbrojtjes gjerman i ka dhuruar vegla pune dhe pajisje teknike me vlerë prej 2 milionë euro.

Offermann: Edhe sot po kontribojnë me 2 milionë euro pajisje

"Në këtë kamp ushtarak gjenden edhe shumë mobile dhe aparate të kuzhinës, si dhe vegla pune dhe pajisje teknike për menaxhim të ndërtesës. Këto aparate dhe materiale ekzistuese një shembull prej tyre mund të shihni edhe pranë meje me dorëzim të kampit ushtarak do t’i lëmë këtu falas. Edhe një investim shtesë tjetër ky për 'Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren' në vlerë të përgjithshme prej rreth 2 milionë eurosh më të cilin Gjermania kontribuon në zhvillimin e mëtejmë të Kosovës", tha komandanti gjerman.

I pranishëm në këtë vizitë ishte edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, i cili është shprehur se për investimin në parkun inovativ, tanimë kanë shprehur mjaftë interes investitorë të shumtë, dhe se në fillim të vitit të ardhshëm presin implementimin e këtij projekti.

Ai u shpreh i lumtur që ky projekt i cili ka qenë vetëm ide në letër po merr tanimë jetë.

Heldt: Ky projekt do ndërlidh shoqërinë vendore me atë gjermane

"Vetë prezenca e kaq shumë përfaqësuesve të Qeverisë sot tregon për interesimin e madh të shndërrimit të këtij ish-kampi ushtarak në një projekt të tillë, i cili do të na ndërlidh të gjithëve edhe shoqërinë kosovare, edhe shoqërinë gjermane, dhe do jetë një projekt madhështor i cili do ta tejkaloj edhe shtrirjen vetëm në qytetin e Prizrenit, pra do jetë një projekt me shtrirje më të gjerë", tha Heldt.

Kreu i ekzekutivit Ramush Haradinaj ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ministri i Financave, Bedri Hamza, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ai i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, i Zhvillimit Ekonomik, Valdin Lluka, ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqit, ministrit të Diasporës, Dardan Gashi etj.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat